Ecje nëpër kujtime-Agon Halabaku


Në lagjen time të braktisur,

rrugicat e vjetra më thërrasin me zë të shurdhër,

Atje ku bari rritet mbi dheun që më njeh,

ullinjtë e heshtur, degët dridhen si duar të plakura,

Dhe era flet me një gjuhë që veç unë e di.

Sa kam mall për lumin që dikur rridhte krenar,

E tani mbuluar me barishte, si një plagë e harruar,

Mrizat e boshatisura më presin me heshtje,

Dhe unë shkoj, me shputat që rëndojnë mbi dheun e thatë.

Ah, tapeti i bukurisë së natyrës, i zverdhur në mall,

Sikur çdo fije bari qan për këmbët që s’kthehen më.

Në shtëpitë e vjetra, muret flasin me shushurimë,

Por sytë e tyre janë dritare të mbyllura, pa dritë.

Simfonia e erës në luginën e kujtimeve të zverdhura

Eci përmes kujtimeve, si përmes një pylli të vdekur,

Ku çdo lis ka rënë nga pesha e fjalëve të pathëna.

Oh, sa kam mall për zërat që dikur mbushnin fshatin tim, ku

tani veç era ulet në pragun e tyre, duke u pëshpëritur varreve.

Në këtë tokë, ku rrënjët i lashë, shikoj hënën,

Si një nënë e plakur që pret kthimin e fëmijëve të saj.

Por koha është një plagë që nuk shërohet kurrë,

Dhe unë, si një zog pa krahë, vërtitem mes të shkuarës dhe së tashmes.

Këtu, mes heshtjes dhe rrënjëve të zverdhura,

natyra qan si një violinë e lënë në harresë.

Dhe unë, një udhëtar që s’di nga vjen as ku shkon,

nën qiellin e lagjes sime, përqafoj mallin, si të ishte vetë jeta.