Edhe në u bëfsh yll…Lefter Shomo


S’ erdhe, mbeta gjer mesnate fillikat

ngathta orët mpiheshin në shekuj të heshtjes

T’ ankthit agrepa po lëvrinin në sahat

Të gatshëm të coptonin çdo premtim gënjeshtre.

Hëna në qiell ,si me turp mbartte njolla

Një herë drapërpërmbysur ,dhe një herë shafran

Cepat e saj të stërgjata, majuce, të holla

Orvateshin natën ta prisnin me jatagan.

Ngjeshi mungesa e stërgjatë tëmthat sërish

Në ndjenja solli vorbulla ,përmbytje dhe shqotë

Kurrë mos ardhsh! E përsërite, kij parasysh..

Edhe sikur të bëhesh yll a hënë e plotë.