Edhe sa kohë…o njeri i zemrës…


VIOLETA KADRIU



Edhe sa vite, ne të dy
do të qëndrojmë të ndarë,
edhe sa, luleve të zemrës së njëri-tjetrit,
s’ do të mund t’ u marrim erë,
edhe sa stinë me diell e re
do na gjejnë zemërvrarë,
edhe sa shpirtërat tanë të zhuritur
pa shijuar pranverë?…

Edhe sa kohë buzëqeshjet tona,
s’ do i buzëqeshin lumturisë,
edhe sa vite të gjata,
do i lozin valle trishtimit,
edhe sa kohë zemrat tona,
s’ do i lumturohen hijeshisë,
e zëri im e i yti
do i rënkojë agimit?…

Edhe sa kohë kënga ime,
pa zë do ndjekë melodinë,
edhe sa kohë, ndër netët pa hënë,
vetmuar, do ëndërroj dashurinë,
edhe sa kohë më duhet t’i themë,
të ngrohtit të zemrës” ik!”
e përkundër kësaj, atij që s’ e dua
t’ i themë “qéndro!” e ta quaj mik?…

Edhe sa kohë lotët tanë,
për ne të dy do të rrjedhin çurg,
edhe sa kohë, ndjesitë tona dashurore,
do i mbajmë mbyllur në burg,
sa kohë ka, që Lulenarcisi,
të lulëzojë në dorën time pret,
e në kopshtin, që mbollëm me duartë tona,
Lulexhembaçi quan veten “mbret”?…

Edhe sa kohë, këto buzët tona,
zhuritur në diell,
edhe sa kohë, sytë tanë në pritje,
të shijojnë një copë qiell,
edhe sa kohë, vargu im për Ty e Mua,
duhet të rrjedhë cunguar,
oh, edhe sa kohë pa zjarrë shtrëngimesh të njëri-tjetrit,
do përballojnë këta dy shpirtëra e duarë?!…
PODUJEVË 05 Shtator 2021 Kosovë

About Post Author