Edlira Llukacaj
Jo gjâ tjetër,
Veç flokët, fort më janë lodhë…
Rrugëve pafund,
Ankthi i ka ledhatu ma s’pari,
Prej gishtave nervoz
Mbas çdo deluzioni thjesht kan ndrru formë,
Kan ndrru bojë;
Shenjat e pagjumsis në fytyrë
Me dritën e tyne me mujt me i mblû,
Me mujt me e mshehë
Argjendin e kohës.
Asgjâ, jo!
Veç flokët më jan lodhë!
Her’ mbulu, her’ zbulu;
Her’ lamsh ngatrru,
Tuj rujt çdo prekje që vitesh humbi,
Çdo gjynah që e harroi gjithkush,
Po floku jo!
Tuj mbajt-
Herë kunora letre e herë diamantesh;
Herë vello andrrash e herë tyl nusesh;
Her’ perla-
Her’ lot…
S’e mbaj mend mâ
Sa shiu i huaj i lagu,
Sa bora u shkri…
E sa deti shije la mbi to.
S’i numroj mâ, jastekët ku u derdhën,
E andrrat i banen lamsh,
Pa ju lanë aromë!
Jo, jo!
Nuk kam lujt mendsh me u lodhë…
Ndërsa flokët,
Çdo shtator e ma fort vjeshtojnë…
