Edlira Llukacaj-Më thuej!


Edlira Llukacaj

Më thuej!

Nëse nuk je gadi prapseprapë!

Nëse nuk ke mësu,
Rrahjet e zemrës me i kthy në fjalë,

E në shpirt
Ajo shpallje, ushtimë s’të ka lanë,

Nëse thirrjen e dashnisë nuk e ke thurë varg
E mbi ditënata loti nuk ka ditë me të ringjallë,

Më thuej!

Nëse rrugët e botës të tërheqin zvarrë,
Po rruga jote prapë e pashkelun asht,

Nëse gjithçka ndien nuk asht veç mall,
Pa e ditë për Kë, pa e ditë për Çka,

Nëse nuk e ke kuptu se kur flet shpirti,
Me heshtë,
Duhet,
Fjala!

Tash s’ka ma gjethe,
Vjeshta erdhi prapë,

Koha përditë e ma ngusht,
Nata ma e gjatë,

Gjithçka tuj u fikë, gjithçka e thatë,
Veç shpresës së brishtë me u ringjallë,

Po un jam lodhë tuj shpresu pa ndà,
Më thuej, pra!

Atëherë un,
Tepricat e kohës kam me i ndezë flakë,

Rrugët e humbuna kam me i kallë,

Mëkatin hì kam me e bà

Lutjen kam me e klithë, pa zà…

E ndër flakë, kam me e gjetë nji prag,
Drejt Ekzistencës pa cak!

Më thuej!

Më duhet me e ditë,
Në rast se s’je gadi
Prapseprapë! 

About Post Author