Edlira Llukacaj

Na,
T’pà’rrànjt,
Që era na hodhi ndër dhèna t’panjoftun,
E u mbajtëm me thonj ndër gùr,
Po toka e huej-
Koprrace,
Për ne nuk e pat as nji pikë ujë
Nà
T’pà’rrànjt
Që u mbështollme fort mbas trungjeve t’huaj
Me mujt me u shartu,
E rranjë me lëshu
Diku;
Po kërkund nuk mujtëm me bleru…
Na,
T’ pà’rrànjt
T’degdisunit e fatit t’nji epoket të murrmë
Hèrë na hodhi deti
Herë na shprazi ajri diku,
E u rrokullisme si loti ndër faqe
Me fitu nji emën,
Me u bà dikush,
Ndër votrat e tjerakujt…
Nà
T’pà’rrànjt
Mezi ç’presim
Nji dorë me na u zgjatë,
Nji fjalë me na u thànë,
E me làn mbrapa gjithçka,
Mezi ç’e presim at’ erë ogurmirë
Që na kthen mbrapsht…
Aty ku besojm se kena rrànjt..