Elegji mbi djalin!Nga Janko Ll. Pali


Elegji mbi djalin!

për Llambron’ e shkretë ! (nga Janko LL Pali …Janar 1943)

Shokë do t’ju them ca derte

Ç’është këjo farë jete

Gjithëkush me deramete

Është mbushur plot !

S’ka në Botë lumturi

Çdo garjet çdo mirësi

Helmin ka për shoqëri

Gjithëmon’ e sot

Mbi kaqë vjet të tëra

M’erdhi edhe mua sëra

Nga dy djemtë që bëra

Të më ikij një !

Erdhi mortaja e pa mëshirë

Më bë të madhe mynxyrë

M’iku djali më i mirë

E s’do ta shof më !

Lul’e bukur nga të Prillit

Si burbuqe trëndafilit

Me gjuhë si të bilbilit

Djali im i shkret’.

Lart nga shokët u nda

Kënga lodra s’bën me ta

Balta fort në gji e mba

S’e lëshon për jetë .

Djali im o shpirt i njomë

Ishte thënurë në shkronjë

Këtë helm që të shijojmë

Tash në pleqeri.

Labo im zëmëra djalë

Më ke ik’ e më kë dalë

Ç’më vjen xhani valë valë

Që s’të shof aty.

O astriti në shullë

Që për mua s’ngrihe më

U bëmë botë e s’jemi gjë

Xhani i vogël ti !

S’të pëlqeu dashuria

Që të gjithë patëm për tija

A të mori perëndia…

Ëngjëll pranë tij ?

Ç’qe kështu për mu të mjerë

Ky helm pa masë e me tmer

Më goditi këtë herë

Djalë o djali im.

Qysh më ike nëpër duar

Shpirti im në kraharuar

Erdhi mortja e të muar

Shpirt e shpirti im !

Djale, pse më hidherove

Thelpn’ e zëmrës seç ma shpove

Më dhe gaz pra më helmove

Tash që bëhem plak !

Aq’ e dojë ti babanë

Sa sot t’ikije nga pranë

Tuke i zhuritur xhanë

Bir i vogël ti .

Ku të gjet këjo e mbarë

Djali im o shpresë e parë

Kush tani ti të ka marrë

E të mban në gji ?

Mëm’ e vogël të thërret

Ditët po i bëhen net

Kurse shpres e saj në jet’

Ti e le dhe ike !

Mana jote po të qan

Helmin tënd se qysh e mban

Hidhërimi yt e than

E trete e fike !

Mëma plakë siç e di

Nat’ e ditë qan për ti

E shkreta në pleqëri

Nuk e prit këtë !!

Nuk e prit të kish arrijtë

Këtë fatzezë ditë

Të të shih nderë e shtrirë

Vaj për gjithënjë.

Lonua vëllai yt

Të kërkon ditë për ditë

Është vetëm në avllitë

E s’e di ç’e gjeti.

Nuk e di se ç’i ka ngjarë

Që i mbeti krahu tharë

Humbi vëllaun e parë

E është në vetmi !

Labi*im o djalë o nur (Llambro)

Ç’qe kështu ky kusur

Thosha, të bëheshe gur

Për mundimin tim !

Qysh duron s’të ha meraku

Eja, njëherë së paku

Eja , se të pret jataku

Shpirt o xhani im !

Ku më gjet’ fatkeqësia

Më dhunoi Perëndia

Lavde past’ vullneti tija

Më thërmoi gjunjët !

O…mali që më ka zënë

Me të shkretën time thënë

Më vdiq Labin më ka nëmë

Vaj… mu prishën punët.

Ju pre qafa ju tha jeta

Ra në dhe siç bie fleta

Ç’qe e hidhur si shigjeta

Që më bë thërime.

Si tund detnë një tallas

Dallgët egër i përplas

Ashtu ndjej t’fortë marraz

Në zëmërën time !!

Si durohet ky trishtim

Helm i madh e hidhërim

Për të mjerin djalin tim

Që për jetë flen .

Plasa…më piu meraku

Për atë djalë si zambaku

Vdiqa po më mbyti laku

Helmi që më bren !

O…Labua im o lule

O i rritur me pekule

Këtë thikë …qysh ma ngule ?

Brenda në kufar ?

Kthehem e shikoj vërdallë

Kush ma di si e kam hallë

Djali, shpresa ime parë

M’u varros në varr !

Ishe plot dije dhe mënde

Më kënaqje me kuvënde

Kaqë shpejt nga unë u rrënde ?

E na le e ike ?

Katër vjet e ca që rrove* (rojte)

Garjet e shpresë dhurove

Tash një kupë helm mblodhe

Na trete na fike !

Ku e liga tij të gjeti ?

A qe fati im i shkreti

Që të ngjalli dhe të treti

E s’të shoh në avlli ?

Shkojnë ditët me rradhë

Shkojnë e bëhenë javë

Pres…po Labo s’më ka arrdhë

Kurrë në shtëpi.!!!

Pse o zot o Perëndi

Këtë helm të madh të zi

M’a dhurove si gosti

S’të erdhi fare keq ?

S’mëshirove m’u të mjerë

I cili që kur kam lerë

Qesh’ i shkretë kurdoherë

Dhe kam heq e heq !

Në ç’gjynahe paskam hyrë

Ç’farë kish’ e Manastirë

Ti o Zot i madh i mirë

Unë shkatërrova ?

Kë kam prerë e kë kam vrarë

Kë kam fyer kë kam sharë

Kujt të drejtën i kam marrë

Cilinë dhunova ???

Mos gjynahet e të parëve

Babës a të gjyshëllareve

Ose të bashkëfshatarëve

M’u mblodhn’ e vuaj ?

A po tëpër u mburra

Se dhe unë fëmijë zura ?

Ja ! dy bashkë në krah’ i vura

Brënda në një muaj ?

Ti, o Zot i madh në jetë

Ndoshta rrej mbi të vërtetë

Edhe qefi të ka mbetë

Se diçka kam shkelë ?

Po ! vërtet diçka kam shkelë

Që nga mëndja s’më del

Një ligj tandin me themel

Që për jetë më ka ngelë !

U bashkoftë Perëndia

Mos u daftë njerëzia

Thonë porosit e tija

Botës edhe mua.

Tek u për disa arsye

Këjo porosi u fye

Dhe bashkimi im u thye

E dava për jetë !

Këtë faj vërtet e bëra

Më nga ç’duheshë u ndëra

Se për kaqë vjet të tëra

Kisha mbet’ i shkretë !

S’kisha pasurë fëmijë

Qoftë çun a qoftë bijë

I shkrretuarë po rrijë

Ndër shokët i çquar !

Deri sa më tridhjetë e shtatë

Ligjin, hyjnor t’artë

Siç u quan me uratë

Pata mënjanuar !

U martova dhe një herë

Që të ndezja t’imen derë

Qoftë turp, gjynah a nderë

Zoti të më fali !

Viti tjatër më zuri

Me një djalë fati më mburri

Thashë mbeti në vënd guri

Ah ! i shkreti djalë .

Pas atij m’erdh dhe një…

Thashë me mënd hë për hë

U sosën kusuretë

Lavdi pastë Zoti !

Fundmas me një vajzë dritë

Desh Zoti të më gostitë

O Jollanda ime dritë

Sa shpresa së koti !

Isha plot garjet e gaz

Kisha lënë ç’do marraz

S’më lëkundte asnjë tallaz

Lavdëroja Zonë !

Kisha dy djem si dy yja

Shum’ e bukur m’ishte bija

Dy mi mori Perëndia

Mbeta dhe me Lonë !

Zot i madh të qofsha falë

Ruajma mu këtë djalë

Mos ta prek as gjëmb as halë

Se e kam mezi !

Kthene bëje me të mirë

Fatin tim të pa mëshirë

I kam vare, o hyr i mirë

Shpresat kam tek ti !

Ti në shkresa që ke dhënë

Gjith’ profetëve ke thënë

Kush mënjanë s’më ke lënë

E shpreson tek U !

Sa të rroj në këtë jetë

Çdo të mirë do të ketë

Lavdi tij o i vërtetë

Qoft’perjetë keshtu !!

Janar 1943.

Shenim:

–Këjo Elegji është shkrojtur nga Janko LL Pali, në vitin 1943,në pikëllim të madh ku për një muaj i rrëmbeu vdekja dy fëmijët, Llambron katër vjeç e gjysëm, si dhe vajzen e vogël Jolandën, gati katermbedhjete muajshe, te cilen e solli nga Vlora në Qeparo ime më, në batanie mbështjellë të vdekur në makinën* (posta kamjona me çadere që trasportonin pasagjeret me stola druri në linjën Vlorë –Sarandë.)

— Gjat’ rrugës e pyet nje grua e i thotë: Si z’bëri zë ay fëmijë për 8-9 orë rrugë ? as qau e as u nderua…nëna ime e pikelluar ne kulm me humbjen e dy fëmijëve nuk e dha veten po herë pas here imitonte sikur i jepte gjoks vajzes së vdekur, se ishte e ndaluar të traspotoheshin kufoma me pasagjerë bashkë, dhe me nje kurajo forcë, devotshmeri e vetme e realizoi ardhjen e saj. Sa zbriti ne Lemenjera* (qendra e fushes Qeparo),ishin mbeledhe njerëzit e farefisit dhe im ate i dermuar në helm e siper vunë vajin ende pa u nisur makina tip poste dhe pasagjeret u habiten kur morën vesh ngjarjen, dhe të gjithë shprehën keq ardhjen kur mësuan ndodhine, dy vdekje ne nje muaj,keshtu është shkruar këjo elegji e dhimbeshme.,dhe pikëllimin e kesaj tragjedie im atë e kujtonte tërë jetën, ay jetoi 97 vjeç po emrin Llambro s’e përmëndi as njëherë, kushdo qeparotas i atyre viteve që është gjallë sot, e ka parasysh në kujtesë, atë dhembje në atë dere !

( U kopjua nga orgjinali nga une i biri PJPali, pa as më të vogëlin ndryshim, shënimi dhe spegimet ne kllapa janë të miat PJP më 22 shkurt 2003 në USA)