Elegji për Koben-Boris Miska


Boris Miska


Qëndronte i shtrirë dhe nuk po e mundonte më ajo dhimbja e padurueshme. Ndjente vetëm ledhatimin e një dore që rrëshqiste butësisht herë mbi kokë e pastaj ngadalë në të gjithë trupin. Në buzën e tharë uji i freskët sikur ja shuante etjen dhe zjarrin e brendshëm që deri pak më parë ishte përvëlues. Sytë nuk i hapte dot, dëgjonte veç zërin e largët që i lutej ta lëvizte pak qepallën, vetëm pak sa të shikoheshin edhe një herë. Ishte zëri i Andreas, njeriut të tij më të afërt dhe nuk po e kuptonte pse ajo e folur ishte ndryshe, krejtë tjetër nga çdo herë, dridhej dhe lagej nga disa lotë që nuk pikonin por kapërdiheshin. Gjumi i thellë po e kaplonte ngadalë dhe një ëndërr filloi t’i shfaqej si imazh i largët, vetja ju figurua fare i vogël, pas një vitrine dyqani, mbyllur në një kafaz brenda të cilit rrotullohej si një kukull në hapsirën e kufizuar. Përtej xhamit ndaluan dy njerëz, ishte hera e parë që ai shikonte nga këto qenie, krejtë të ndryshëm nga ai, më të mëdhenj, të lirë dhe në fytyrat e tyre kishte mirësi.
Nuk kaloi shumë kohë dhe ato duar që para pak e përshëndesnin nga përtej kuadratit të xhamtë tani po e përkëdhelnin plot dashuri, dy krahë të ngrohtë e kishin mbështjellë dhe po e mbanin shtrënguar në gjoks a thua se në ato momente do të shfaqej dikush e do u’a rrëmbente nga duart. Ndjente një fllad të freskët që po i përkëdhelte fytyrën, ishte ndjesi e paprovuar ndonjëherë, më pas u shfaqën shumë drita, zëra, njerëz pa fund, po dilte në një botë tjetër. Imazhet dalëngadalë filluan të fiken, kuptoi se po gjumonte, por ajo fjetje nuk ishte e zakonshme, si ato të çdo nate kur strukej në jastëk pranë Andreas e Natit, u bë terr dhe veshët i kumbonin deri sa çdo gjë edhi e u fik pa jetë.
Kishte qenë një ditë e gjatë dhe e lodhëshme, Andra sapo pronotoi online dy bileta për ndeshjen e basketbollit që do luhej sonte pas mesnate në New Jersey. Do shikonin Lakers, të madhin Kobe, lojtarin e tij të preferuar i cili tashmë ishte kthyer në një yll të NBA, ardhur si meteor pas një emri të mitizuar siç kishte qenë ai i Michael Jordan.
Ndezi makinën dhe po priste të pëgjigjej Nati nga përtej telefonit.
-Be, i foli si përherë me dashuri.
-Sapo u nisa, fillo bëhu gati, do shkojmë në Jersey të shikojmë Lakers, luan Kobe.
-Vërtetë, shprehu habinë vajza!
-Po, sapo bleva biletat.
-Ok, të pres.
-Love.
-Mee to, u dëgjua zëri i ëmbël i Natit nga artopolanti i celularit.
Kur dolën nga pallati i sportit, një impiant fantastik ku u luajt ndeshja e madhe, ende në veshë kumbonin thirrjet e tifozëve dhe duartrokitjet frenetike pas çdo koshi të realizuar me mjeshtëri nga Kobe i cili pati luajtur në natën e tij më të artë.
Parkuan makinën rreth dy blloqe larg pallatit ku banonin dhe të kapur për krahu po ecnin ngadalë. Rrugët ishin më të qeta, qytetin e zhurmshëm e kishte zënë ai gjumi i përciptë që herë pas here ia prishte qetësinë qarkullimi i makinave e zërat e rrallë të banorëve të natës.
Nati ishte ngjeshur pas trupit fizik të Andreas kur për një moment ndali para dyqanit pothuajse me drita të fikura,
-Andrea shiko sa i bukur!
U kthyen të dy të ndalur para xhamit dhe po shikonin me habi qenushin e vogël brenda një kafazi, ishte i bukur, me qime të bardhë, dukej si një kukull e gjallë me dy sy që shkëlqenin mes pushit vezullues.
-O zot sa i bukur, i doli fjala nga goja Andreas sapo ndeshi tek sytë e fiksuar të krijesës së pafajshme.
Ai filloi të rrotullohej brenda asaj hapsire që po i merrte frymen, ndalej herë pas here me sytë e ngulur mbi çiftin e ri dukej sikur lutej ta nxirrnin nga aty. Sfilonte plot gjallëri, luante bishtit si shenjë miqësie dhe ndalej sërish për të parë regimin e tyre.
Ato momente ishin sa magjike aq edhe sfilitëse për një vendim që edhe po të merrej aty në atë moment ishte i parelizueshëm. Dera e sallonit ishte e kyçur, të zotët e tij kush e di ku flinin tani, e nesërmja dukej e gjatë.
Të dy ishin në një mendje, por Nati foli e para.
-Andrea vijmë nesër në mëngjes dhe e marrim, të lutem, nuk mund ta lemë aty!
Djali nuk kundërshtoi, por as nuk tha po menjeherë. Ishte një hap që duhej menduar mirë, jetonin në një pallat ku administratori nuk do u’a lejonte ta mbanin në apartamentin e tyre, ky ishte rregulli, askush nuk mund ta shkelte, pasoja dihej.
Brenda vetes po e gërvishte një thirrje për t’u ktheyer e ta thyente atë xham pas të cilit qëndonte ai kafaz që i kishte rrëmbyer lirinë asaj qenie të bukur plot gjallëri.
-Zemër, e shkundi sërish këmbëngulja e vajzës e cila tani dëshirën e madhe po e shoqëronte me lotimin e syve të bukur.
Andrea ndali e përqafoj fort dhe e puthi me dashuri, në shikimin e saj mori një ndjesi që se kishte provuar asnjëherë, nuk mundi ti rezistonte asaj ndjenje magjike.
Ditën tjetër ndoshta ishin të parë vizitorë të atij salloni që tashmë ishte zgjuar në gjallëri dhe zërat e krijesave të vogla të kyçura secila nëpë kafazet e tyre sa vinin e shtoheshin.
Kërkuan me sy dhe ndalën me ankth para kafazit që mbante qenushen e tyre të bardhë, ndoshta nga padurimi dhe frika se dikush tjetër do ta rrëmbente.
Krijesa e vogël u gjallërua sapo të dy ndalën para tij, dukej që i priste, nuk kishte fjetur ashtu si dhe ata deri në agim, ishte si ajo dashuria me shikimin e parë që të godet dhe nuk mund t’i rezistosh.
Gjatë gjithë rrugës të cilën e bënë në këmbë e kishin mbajtur herë Andrea e herë Nati, dukej si një lodër dhe ata që gëzonin si dy fëmijë. Në kartelën e tij kishin shënuar emrin, do e quanin Kobe, ashtu kishte dashur ta pagëzonte Andrea në bindje se ata e kishin gjetur vetë njëri-tjetrin.
Kobe tani flinte në gjumin e thellë pa shenja jete, i qetë plot siguri si atë ditë në krahët e tyre kur e nxorrën prej kafazit pa liri, me mallin e kujtimit të largët dhe fatit që gjetën njëri-tjetrin.

Port Chester, 2024.