Elegji për nënën-Petro Sota


Petro Sota

ELEGJI PËR NËNËN

——————————-

Mendimet sonte, sa po më lodhin,

Dhe ballin tek duartë e kam vënë,

Por diçka e ndjej, që do të ndodhin,

Për ty, më dridhet zemra moj nënë.

Ndërsa loti që bije, faqet po m’i lanë,

Kur të shoh, që s’po flet më me gojë,

Dhe të gjithë fëmijët sonte, i ke pranë,

Me lot në sy, me dhimbje të shikojnë.

Ka ardhur dhe mbrëmja si grua e ve,

E mbuluar e gjitha me shallin të zi,

Por ti më dukesh, sikur sonte po fle,

Dhe do të zgjohesh pas pak përsëri.

Nuk dua ta besoj, që ne na ke lënë,

Ti rrugën e more, pa na puthur në ball,

Një fjalë, një amanet, s’na the moj nënë,

Por malli për ty, s’matet me tjetër mall.

Unë sytë asnjëherë, s’ti kisha parë,

Të mbyllur si për gjumë, as kur flije,

As ballin që të ndriçon sonte si i larë,

As tek dritarja, kur në mbrëmje rrije.

Me mundime, na rrite burra dhe gra,

Dhe nuk u ankove për ne asnjëherë,

Buza e jote një fjalë të hidhur nuk tha,

Por e buzëqeshur, e ëmbël si sheqer.

Na fal moj nënë, për ndonjë shqetësim,

Se ndoshta padashur të kemi rënduar,

Në ngunjë pranë teje, ne sonte po rrimë,

Me lotët që na rrjedhin, s’kanë të mbaruar.

Na fal moj nënë, që me lot po qajmë,

Vall do të mësohemi, pa të patur këtu,

Se ditët më të zymta, do të më ngjajnë,

Si kjo ditë prilli, më e zymtë gjithashtu.