Elementët estetik dhe personazhet e poezisë së Murat Isakut!!!


Elementët estetik dhe personazhet e poezisë së Murat Isaku!!!

Kumtesë e ligjëruar prej meje në Universitetin Evropian Jug-Lindor-Tetovë.

Maqedonija e veriut!!!

Fakulteti i Gjuhëve dhe Komunikimit,Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Tetovë!!!

PUNUAR NGA ARQILE V GJATA…

gjata.arqile2@gmail.com

…….

Me gjithë numrin në rritje të studimeve lidhur me problematikën e krijimtarisë poetike të Profesor Murat Isaku, ndihet ende nevoja e plotësimit studimor rreth vlerave krijuese të këtij autori në këto ditë, që edhe Elita e studiuesve ka ndërmarrë dhe po zhvillon sot një Akademi Letrare për krijimtarinë letrare të tij.

Në këtë kontekst, nuk jam në rolin e studiuesit, kritikut, apo të një personaliteti të letërsisë. Jam një krijues si shumë të tjerë dhe dëshiroj të matem me një hulumtim modest për krijimtarinë poetike të Poetit Murat Isaku.

Më parë nuk e kisha njohur poetin dhe shkrimtarin Murat Isaku, as nuk kisha lexuar gjë nga krijimtaria e tij poetike.

Do të ishte një ftesë nga Profesor Kadri Zeqiri .që unë të gjurmoja, të grumbulloja e të analizoja lëndën krijuese nga thesari i tij i çmuar.

Kam lexuar me dhjetëra e dhjetëra poezi nga ky Poet, që më pushtoi të gjithin.

Hyrje

Qëllimi i këtij hulumtimi është të argumentoj mbi elementët estetikë në poezinë e M.Isakut si dhe të tregoj mbi personazhet dhe veçantitë e tyre në lidhje me rrëfenjën poetike si një vizion ndryshe, për ta sjellë botën nën këndvështrimin e tij unik.

Është e natyrshme të kesh dëshirë dhe kureshtje të hedhësh mendime në thellësinë e horizontit, me pikësynimin e mirë për të gjurmuar shtegtimin e një poeti si

Murat Isaku.

Arti dhe letërsia janë “frymë”, janë materie e jetës. Asgjë nuk është e vlerësuar përjetësisht. Po citoj: ”Veprat e gjenive janë vizion për të ndryshuar botën.”[1]

Kushdo krijues (poet), i lindur në kohë të caktuara (në shekuj e vite), mundohet të përqafojë, të gjejë, të modelojë (të jetë novator), të qëmtojë dhe të rikonceptojë ndryshe krijimtarinë vetjake.

Me ndihmën, mundësinë dhe të drejtën, që i jep në pafundësi “demokracia e fjalëve”, për të ndërtuar, shtjelluar dhe përdorur të gjitha ato forma të mendimit poetik, i japin vlera të qenësishme e të veçanta në raport me krijues të tjerë në poezi.

“Poeti, par

a së gjithash, është “i dëgjimit muzikor”. Nuk mund të ketë vargje pa muzikë, një vargu nuk mund t’i mungojë ritmi…”[2], thotë i madhi Jorge Luis Borges në Parathënien e “Dorëshkrimi i Brodit”, prej nga na lind e drejta të gjykojmë gjithçka, që thotë Borges, është rezultat i kombinimit, vendosjes së fjalëve në vargëzim, nga ku ndihet muzikaliteti i vargut dhe ritmi, aq shumë i domosdoshëm në çdo krijim poetik.

Poeti M. Isaku, “Një sy, që shikon larg”

Si rrjedhojë i mendimit tim hulumtues, po i drejtohem drejtpërdrejti krijimtarisë jetësore të Poetit Murat Isaku. Krijimtaria e tij është jeta e një artisti të zhytur në materien e realitetit, në kërkim të një jete tjetër. “I qetë, ai kërkon një copë vend në trupin e vet”.[3]

Si krijues ai përdor shumë mirë gjuhën artistike dhe fjalën si përgjegjësi e intelektit të tij dhe…

“... e mbush dhomën me ëndrrat e vetmisë së vet/duke u derdhur n’dritare si rrez’ e hënës mbi kep”..

.Po pse ky “Sy” vështron, vëzhgon larg? Mos vallë nga, që pasqyron fytyrën e jetës dhe të kohës?

Apo nga që i tregon rrëfimet poetike me ritëm të shpejt për t’u futur në sekretet e procesit krijues?

Të gjitha këto “pse” i gjejmë në poezinë e autorit, duke zgjuar kështu, ëndrrën e “metaforave” të tij!

“Gjithë natën nuk më fteken emrat e sendeve

gjumi s’më zë në asnjë krahsikur brenda shpirtit ttë lëshojnë rrënjë shkurret e egra”.[4]

Prurjet poetike të M. Isakut janë një pemë ku degëzimet vijnë natyrshëm e të gjalla.

Ato i ngjajnë një lisi të fortë me rrënjë të thella që ka madhështinë e përsosmërinë e tij. Mendimet dhe ëndrrat shpesh si një lumë i rrëmbyeshëm, përmbushin ethshëm fushën krijuese të poetikës. Ai është një sy, që shikon larg…!

Lumë frazash të figurshme metaforike, krahasime, personifikime, antiteza etj., është gjuha me të cilën ky autor flet e bisedon me shpirtin e tij, në poezitë e tij me lexuesin e tij…

“– njësoj si oxhaku me tym

hesht me pleqërinë në krahë

duke fshirë me dorë avullin në xham

e duke i pëshpëritur atij: ”lamtumirë, or mik”.[5]

Mjetet stilistike në poezitë e M.Isakut, këndojnë me cicërima zogjsh. Lënda poetike e tij ka ngjyrim trëndafilash, tringëllimë zilkash, freski burimesh, heshtje nate dhe vrapim agimesh, gjithçka për të qënë vërtetë si një “libër”, me hapësira pa limite dhe vizion të pafund imagjinate dhe përfytyrimesh.

Po mundohem ta përshkruaj vrapin poetik të autorit me disa vargje të qëmtuara, që të marra së bashku na japin anatominë dhe ADN e këtij poeti:

“se dua jetën që merr frymë me një fjalë…

– Tash kur po rigonte ky shi i rrafshët

dhe ripërvëlohej në buzët e tij

me fulltaka të pëlcitura si guaskat e detit,

me një gur në zemër

vetëm falje kërkonte pse s’mori një kokërr kripë

në sofrën tuaj.

-Si një dru stufe-pa biografi…

– si drunj shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë.”

“Sikur e mbush dhomën me ëndrrat e vetmisë së vet

duke u derdhur n’dritare si rrez’ e hënës mbi kep.

Arratisur është nëpër shi ku frika n’palcë e vret

ndaj jetën e kërkon n’dritare ku rrufeja e shkrep.”[6]

Estetikisht, poeti Murat Isaku- “NJË LIBËR ne vetvete”

Isaku prezantohet me lexuesin shumë “fin” dhe i entuziazmuar me krijimet e tij dinjitoze, ai gjendet, ekziston edhe atje ku nuk jam unë.

Them me bindje se unë e prek atë “krahë kënge”! Marr frymë dhe unë “pa zë” dhe e dua ta ruaj “zjarrin e lashtë” si vetë M. Isaku!

Po citoj disa vargje, që i kam shumë për zemër:

“I kërkoj ata sy kudo – ashtu siç kanë qenë,

që pa zë mirrnin frymë – flitnin pa zë…”

“Sikur m’erdh n’çast se ma vodh zjarrin e

lashtë në ballë,

mbeta pa kohë lulesh ëndje, pa qumësht nëne në barkun tim…

E pyeta – tash kur pleqëria po m’merr nëpër këmbë si e marrë,

më thuaj vetëm ç’kujtim ruan jeta në gjuhën e vet!?”[7]

Në korrelacion, në bashkërendim të materializuar nga vargjet, dëshiroj të flas me gjuhën e tyre poetike.

Frazeologjia, si shprehje e ndryshimeve në përmbajtjen e poezisë të poetit M. Isaku, ngjizet dhe shkon tek lexuesi si zbulim i angazhuar për identifikimin e vlerave estetike.

Për konkretizim, po i drejtohem drejtpërsëdrejti disa poezive të tija, si “Flutura në Dhomë”, “Oxhaku para Dritares”, “Qortimi i Vetes”, “Pjeshka e Rrugës Sime” dhe “Plaku Afër Zotit” të cilat veçohen për faktin e rëndësishëm se aty kulmojnë tekstet poetike, që sjellin këndvështrime të pafundme kuptimore, përgjatë leximit dhe interpretimit në kohë të ndryshme nëpërmjet fjalës së stisur dhe përfytyrimit, që merr brenda vargut poetik. Është teksti poetik me të gjitha elementët që e formojnë atë, me efekte, dritësi, mendim e fantazi…

E thënë më thjeshtë, mjeshtëria e një krijuesi duket, bie në sy, vlerësohet se si e përzgjedh fjalën e bukur në raport me elementët e tjerë filologjikë.Poeti M. ISAKU mjeshtër i fjalës së bukur Shqipe

E ftoj veten dhe të tjerë miq, për një vëmendje, për një vështrim më të thelluar ndaj veprës poetike të M. Isakut.

Aty, në çdo kohë do të ndjeni, do përqafoheni me artin e fjalës së bukur, të mendimit estetik dhe do të prekeni nga ndjesi të shumta kur e lexoni poezinë e tij. Një nga ato ndjesi jeton dhe pasqyrohet tek ”Trishtimi”.

Në poezinë “Plaku afër Zotit” vërehet se ai, e ka thyer monotoninë e formës dhe të ideve, si diçka të natyrshme, “një materie” e tillë është vërtetë një risi në poezinë e tij.

“Mirëpo, unë kisha vdekur ditën e enjte në kafene

me një “ndjesë pastë” ndër buzë të bujarëve.

mandej kishte ardhur shiu i dytë.

Vetëm tash e di.”

Pikërisht kjo lloj krijimtarie poetike përbën pasurinë gjuhësore te tij.

Përdorimi i një gjuhe tejet të pasur e të lëmuar, si një proces i pandërprerë në mënyrën e të shprehurit të ndjesive në tërë poezinë e tij vjen pa bujë, thjesht me shqipen e pasur si morfologjikisht edhe semantikisht, sjell tek ne jete, gezim, halle, deshperim, dashuri, paqe etj.,

Duke e quajtur atë një poet të madh me botën e ndjenjës së poetikës së tij.

Sipas gjuhëtarit Lakoff (1971), “gjuha na përdor po aq sa ne e përdorim atë.

Ashtu si zgjedhjet tona të shprehjes, udhëhiqen nga mendimet, që ne duam të shprehim, në të njëjtën formë, ajo çka ne ndjejmë në botën reale, udhëheq mënyrën sesi ne shprehemi rreth saj.”

[8] Kjo e vërtetë gjendet dukshëm në ligjërimin poetik të M.Isakut:

“Dhe dridhem e dridhem pse jam kaq i marrë.

or njerëz,

pyetni në çeli lule pjeshka e lalë Sulës

t’u marrë erë luleve,

atëherë ndoshta bëj një sy gjumë.”[9]

“Personazhet” poetikë në poezitë e Murat Isakut

Poezia e Murat Isakut krijon hapësira të larmishme për të parathënë se si “Personazhet” i vë në shërbim të vlerave të veçanta estetike dhe u krijon “Shtëpinë e së bukurës”.

Kur flitet për personazhet theksi vihet në kuptimin grek të etimologjisë, tek roli. Meqë termi personazh është barazuar shpesh me pasqyrimin e njeriut dhe të veprimeve të tij në vepër, shumë studiues propozojnë terma të tillë si veprues, aktorë, që kanë, sipas tyre, një shtrirje semantike më të gjerë, sepse lejojnë, që krahas njeriut të konsiderohen si personazhe sendet, idetë, qeniet mitologjike, krijesat fantastike dhe ato fantazmagoriket.

Më konkretisht, mbartës i veprimit në një vepër artistike mund të jenë sende ose konvencione, simbole e ide!

“Në Kritikën letrare është pak a shumë e vështirë t’i përcaktosh në mënyrë ideale vlerat e një poeti, për shkak të natyrës së saj të gjerë dhe të pranisë së subjektivizmit në të.”

Ndokush dhe mund të më qortojë, për një zgjedhje të tillë estetike, që kam bërë, duke i vetëquajtur “personazhe” të poezisë së poetit Murat Isaku, disa trajta në lëndën e vargëzimit për të pasqyruar fytyrën poetike të poezisë.

Korrelacioni objektiv i poezisë, i ilustruar me shembuj të shumta nga krijimtaria poetike, është vërtet me shumë interes, pasi konkretizohet me detaje të veçanta, që meritojnë vëmendje dhe një analizë të hollësishme.

Nën dritën e psikanalizës, poezia e poetit Isaku, meriton vëmendje bashkëkohore.

Të tillë elementë janë ata, që konfigurojnë karakteret e “ Personazheve” brenda faktorit “KOHË”.

Përgjatë udhës poetike të autorit ndeshemi me shumë “personazhe”, të cilët janë të përveçëm, kanë ngjyrime dhe kontekstin e tyre të papërsëritshëm.

Këta “personazhe” janë mishërim i botës shpirtërore të ngërthyer pazgjidhshmërisht me “realitetin”, me atë realitet jo fotografik dhe aspak mediokër. Ato janë prej “qelqi-kristal”, plot ylber dritash nga e gjithë bota e stinëve. Ato janë: “drunj shelgjesh”, “sy që flasin pa zë”, “dritarja e tij që hedh vështrimin larg”, “fletët e bardha që kërkon t’i shikojë në ëndërr”, “njeriu pa biografi”, “ një dru stufe”, “flutura në dhomë”, “qortimi i vetes”, “pjeshka e rrugës sime”, apo “plaku afër Zotit”. Të gjithë të vërtetë, brenda shprehjes se vetvetes dhe imagjinues si të tillë, brenda mendjes së autori.

Ndërlidhja dhe domethënia e kohës me qeniet njerëzore, përbën një qasje të veçantë, si “Personazhe” hipotetike në poezinë e Isakut.

Kjo referencë do patjetër një vëzhgim më të thellë estetik dhe analitik për ta sjellë poezinë e këtij autori me një trajtesë dinjitoze të studiuar thellësisht.

Po risjell në kujtesë disa vargje, që përbëjnë shkak-pasojat e raporteve midis kohës dhe qenieve, ato qe unë i quajta pa hezitim “personazhet e Isakut”:

“Ajo rrahu krahët me katër strofa si në poezi,

kuptova atë botë se të dytë kishim një fat nëpër shi…”

“Tash dritarja ime hedh vështrimin larg e larg…

Sheshi i qytetit është bërë më i madh

ku të rinjtë puthen e ndrydhen më këmbë…”[10]

Të gjithë këto “personazhe” bashkë dhe veç e veç përbëjnë një simfoni të artë poetike. Ato materializohen në zogj, flutura, drunj, gjethe, dritare, shesh i bërë i madh, ku lexuesi dhe poeti së bashku mundohen të pikturojnë tablonë e pafundme të jetës, ku krijohen lidhjet Poet-Lexues, duke hapur mundësi novatore komunikimi, ku askush nuk ka nevojë të trokasë në muret që fjala ngre…këto mure nuk ekzistojnë.

Poezia e M.Isakut di të komunikojë e të depërtojë…

Uni im, duke i personalizuar “personazhet” si lexues, e ndjen për detyrë të ndalet, të përqendrohet tek çdo fjalë, togfjalësh dhe t’i japë përparësi çdo njësie fonetike, fjalëve të figurshme dhe mendimeve shumë kuptimore, për t’i shijuar ato, me plot ndjesi dhe emocione. Çdo “personazh” ka thelbin e vet nga ku përçohen mesazhet e tyre të fuqishme, një lloj “thelbi” ky, që është veçse vetve tja.

Dhe natyrshëm, këto mesazhe përbejnë “thelbin” i krijimtarisë poetike të tij.

Gjithçka që shpreha më lart, nuk besoj se përbënë “përkthimin e heshtjes” së veprës së këtij poeti, pasi vepra letrare e Poetit M. Iasku ka vite që ka një vend nderi në poezinë Shqipe. Nga ç’ka mësova përgjatë udhëtimit tim për të hulumtuar nëpër krijimtarinë poetike të këtij poeti, dua të them me bindje se “poezia e tij shpjegohet me vetveten”…

Fransis Ponge u tha shkrimtarëve të mëdhenj: “Unë ju njoh juve një vend brenda vetes. Kaq. Më mjafton të mos jem tjetër, veç vetvetja”.[11]

Vargje si këto, që po citoj më poshtë janë vetvetja, janë realiteti i botës se autorit.

Ai nuk i ngjan krijuesve të tjerë dhe as i ndikuar nga ndonjë poet tjetër, ai vjen “vetvetja”:

“Dritarja kullon – unë shfletoj një libër –

i qetë kur ajo kërkon një copë vend për trupin e vet.

Sikur m’erdh n’çast se ma vodh zjarrin e

lashtë në ballë,

mbeta pa kohë lulesh ëndje, pa qumësht nëne barkun tim…”[12]

Po e mbyll hulumtimin tim modest me një thënie të Prof. V. Memishaj se,‘’metafora e abstraktimi kuptimor marrin përmasa të reja, gjuha shpërfaq mundësitë e veta dhe intelektualizohet dhe kur burimi i njësive frazeologjike është i drejtëpërdrejtë nga gurra popullore’’[13] siç e shohim dendur në poezitë e Isakut.

Disa konsiderata si vlera poetike të autorit!!!

Fraza poetike vjen e pjekur dhe e arrirë nëpërmjet vargut të rregullt ose të lirë. Komunikimi është i thellë, i plotë, emocionues dhe i shëndetshëm poetikisht! Interpretimi i vargut ka brenda figurshmërinë e në shumicën e tyre metaforën nga ku varet konteksti

brendshëm dhe faktorët kohorë e kulturorë.

Në poezinë e Isakut ritmi dhe muzikaliteti i frazës vjen natyrshëm me forcën shprehëse të kuptimit apo të nënkuptimit nga interpretimi, që mund t’i bëhet.“Fantazia” poetike e këtij poeti tenton të kap majat estetike.

Të gjithë “ Personazhet” e poezive të Isakut pasqyrojnë natyrën komplekse të marrëdhënieve të veprës letrare.

Ato janë me shenja dalluese në ngjyrë dhe në tingëllimë si edhe në trajtë e në peshë nga njëri-tjetri!

Ato i bashkon vetëm fati i tyre, që u krijuan nga një dorë mjeshtërore.

Athinë, Tetor 20

[1] Murat Isak lindi në Gajre të Tetovës më 1928, vdiq në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005. Mësoi në TetovëElbasanPrishtinëPrizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës dhe mëtej u emërua zv. drejtor i kësajë shkolle. Duhet theksuar se u caktua redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe nga edhe u pensionua.

[2] Jorge Luis Borges në Parathënie te Dorëshkrimi i Brodit, faqe 20-21.

[3] Vepra, po aty…

[4] Vepra, po aty…

[5] Vepra, po aty…

[6] Shkëputur nga poezia e M. Isak.

[7] Shkëputur nga poezia e M. Isak.

[8] “Gjuha nuk është një organizëm i pavarur nga njeriu dhe nga shoqëria, ajo është vepër pak a shumë e ndërgjegjshme e vullnetit dhe e inteligjencës së njerëzve: çdo shenjë, çdo frazë e realizuar në një kontekst shoqëror të caktuar, jep dëshmi për këtë vepër të përbashkët dhe jep ndihmeseë në përsosjen e saj. Filozofi e gjuhës, Sh. Rrokaj, Tiranë, 2010.

[9] Vargje nga Murat Isak.

[10] Vargje nga Murat Isak.

[11] Francis Ponge eseist dhe poet frances i periudhës ( 27 Mars 1899 – 6 Gusht 1988).

[12] Vargje nga Murat Isak.

[13] V. Memisha, Studime për fjalën shqipe, Tiranë 2011.