Eli Zeneli:Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878)


LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT (10 qershor 1878)

Sot, kur po përkujtojmë këtë 144 vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin toksor, me mirënjohje i japin vendin e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj. Është krenaria jonë se historia e kombit shqiptar është e pasur me ngjarje të tilla përparimtare. Ne krenohemi që flamuri që ka udhëhequr popullin tonë të lashtë në rrugën e tij historike, nuk shërbeu kurrë si simbol lufte për një çështje të çndertë, si simbol robërimi e dhune pushtuese, as i diplomacisë së intrigave dhe komploteve në kurriz të popujve fqinjë. Ata ishin të detyruar të përballonin rrezikun e shfarosjes e të asimilimit, të coptimit e të grabitjes së trojeve të veta nga ana e cezarëve, perandorëve, kralëve të kohëve të lashta.

Populli shqiptar i vetëm, pa aleatë, shpesh të braktisur e të trathtuar nga klasa sunduese vendëse, stërgjyshërit e gjyshërit e etërve tanë u mblodhën e u betuan për luftë në kuvendet e mëdha historike. Në vazhdën e këtyre kuvendarëve të mëdha tradicionale një vend të veçant zë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo është e vetmja organizatë politike e ngritur brenda trojeve shqiptare, që u doli zot me armë në dorë të drejtave të kombit shqiptar, një organizatë që ka jo vetëm një platformë ideologjike kombëtare e një program politik të përcaktuar qartë, por edhe një organizim shtetërorë dhe ushtarak në rrafshin kombëtarë për sa u takon ndarjeve krahinore e fetare të trojeve shqiptare.

Nuk ishte e rastit që ajo u mblodh dhe u mbajtë për herë të parë pikërishtë në qytetin e lashtë të Prizrenit, mu në zemër të Kosovës, në atë trevë ku përqendroheshin në mënyrë më të theksuar lakmitë grabitqare të armiqëve të popullit shqiptar. Këtu ajo filloi veprimin e vet me akordin madhor të memorandumeve të saj me veprimet e organizuara politiko-ushtarake si përfaqësuese e drejtave të kombit shqiptar dhe më vonë si qeveri e tij. Pavarësisht se kanë kaluar plotë 144 vite, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka ruajtur domethënien e saj të madhe dhe do ta ruaj atë për brezat e ardhshëm të kombit shqiptar.

About Post Author