Eliksir-Razielda Hitaj


ELIKSIR*

Krahë’shkruar…ç’farfuron lulërisë
Përse ia lëndon, lot’vesën barit
Ç’ndjesi të la xixëllonj’e xhelozisë
Kur t’prekja me frymën e t’marrit

Si medalion, hirin le fisnikja ime
Flutura mbijnë…pas hireve të tua
Bishtat e cigarit përtypa thërrime
Përgjërimi yt, tyl’hëne lëmoi mua

Tjerr e tjerr syri gjëlminjtë në tel
Meridianët hartojnë, rrudha’balli
E bukur’e dheut, ç’delfinoje si velë
Përmbytej gjemia mbi flatra-malli

Sa kokrra loti më vodhe o flutur
Sa gur unaze ylberoi vështrimi yt
Ku vajti ai ngashërim aq i bukur
Si drapër hëne netëve më mbyt

Ndonjëherë, a do hapet ajo sepete
Dyllë’vulosura e gjërave t’shtrenjta
N’botën tjetër, do ta marr me vete
T’a ruaj, siç ruhen ikonat e shenjta

Le të përzërë ëndrrat….donzhuani
Ç’vetëtimë-zemre “pikturoi mua”
Po s’ndezi irisi xixëllime stërralli
Te syri i hënës do lutesh për mua

Thuaj…ç’zemër mbi gjemba s’fjeti
Cilët qerpikë s’u njomën nga loti
Ç’yll u këput e parajsë nuk gjeti
Fal eliksir*…mëkatin e fal vet zoti

Eliksir,*gur i lumturimit.

About Post Author