“Emigrimi: pemë shekullore e çrrënjosur nga damarët e tokës mëmë.”-Nga Angela Kosta


Angela Kosta

“Emigrimi: pemë shekullore e çrrënjosur nga damarët e tokës mëmë.”
Kur emigrova në Itali, isha shumë e re, e megjithatë u ndjeva (ashtu sikurse ndjehem edhe sot), sikur të isha një pemë shekullore e çrrënjosur nga damarët e tokës mëmë. Edhe pse kam kaq shumë vite që jetoj jashtë Shqipërisë, rrënjët e mia mbeten të copëtuara midis atdheut tim dhe vendit ku tashmë jetoj. Si shumë atdhetarë, jetoj në një shoqëri multietnike, ndaj nuk i gjykoj të tjerët për dallim race, feje, shkallë shoqërore apo ndryshim kulturor. Unë emigrova në Itali në vitin 1995 bashkë me bashkshortin e dy fëmijët, duke lënë familjen, shtëpinë, ëndrrat, studimet me zemër të thyer. I përqafova të afërmit e mi, ashtu sikurse përqafova fort vëllain tim 17-vjeçar, duke mos e ditur se do të ishte hera e fundit që e takoja, pasi ai do të mbetej viktimë e trazirave në vitin 1997. Në qytetin ku jetoj ende sot, ndesha me bujarinë e madhe, ashtu sikurse edhe të gjithë italianëve në përgjithësi. Meqenëse e flisja mirë gjuhën, nuk pata vështirësi të integrohesha menjëherë në shoqëri. Siç e dimë, gjuhën e huaj italiane e flasin thuajse të gjithë shqiptarët, sepse që në kohën e diktaturës, edhe pse ishte i ndaluar nga mekanizmi i egër i shtetit, kanalin Rai e shikonim fshehurazi në televizion.
Pas disa muajsh nga mbërritja ime në Itali, fillova të punoja si asistente pranë të sëmurëve në një klinikë private shëndetsore. Edhe pse puna ishte me turne dhe më merrte shumë energji, sikurse familja dhe fëmijët, kjo gjithsesi nuk më pengoi të rinisja e të shkruaja (pasionin im qëkur isha fëmijë). Në vitin 2003 botova në Shqipëri romanin e parë: “Shpirti i burgosur”, dhe më pas në vitin 2004 librin me novela “Më fal”.
Shumë kurioze, fillova të lexoj poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj italianë, vëzhgova dhe admirova kulturën e tyre të  pasur, ndaj vendosa të botoj ndonjë libër edhe në Itali. Në fakt në vitin 2007 ia arrita këtij qëllimi duke botuar romanin tim të parë: “Varësja Magjike”. Në vitin 2008 botova librin me poezi “Loti i shkëlqyeshëm”, përfitimin e të cilit ia dhurova Shoqatës ONLUS Amyotrophic Lateral Sclerosis. Në vitin 2011 botova romanin thriller “Sytë e nënës” e më pas, në vitin 2017 vijoi romani “Millioneri i varfër”. Në vitin 2018 botova librin me poezi “Të jetosh”, 2019 romanin “Përtej oqeanit”, dhe më pas botova librin me përralla “Ylberi dhe Sara e vogël.” Përfitimin e këtij libri ia dhurova Shoqatës ONLUS Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor të Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve. Projektin e librit me përralla e përfundova edhe falë ndihmës shumë të çmuar me vizatimet e saj, Kristiana Sterjo, e cila u kurua dhe ia doli të sfidojë sëmundjen e Leuçemisë. Kristiana erdhi në qendrën tonë spitalore me gjyshen e saj. Ajo ishte e vogël e megjithatë gjatē mjekimit të kimioterapisë tregoi një vullnet të jashtëzakonshëm. Ajo e shtynte kohën duke vizatuar, ndaj unë i thashë se një ditë ne do të botonim një libër bashkë. Kaluan disa vite nga projekti ynë, por sapo unë e kontaktova dhe i dërgova dorëshkrimin e përrallës, ajo u tregua e gatshme për të bërë vizatimet. Dua të falenderoj gjithashtu Catia Rossi e cila pregatiti faqosjen e këtij libri.
Edhe pse sot ende jetoj në Itali dhe jam larg prej njëzet e tetë vitesh, malli për tokën mëmë nuk më shuhet kurrë. Sot ndjehem e lirë për të shprehur nëpërmjet shkrimit dhe botimeve të mia reflektimin mbi çdo aspekt që i përket jetës. Bota e mrekullueshme letrare është tashmë pjesë e frymës sime ndaj do të vazhdoj të shkruaj derisa Zoti të më japë forcë ta bëj këtë.
Qershor, 2023 (Angela Kosta)