Emocioni nuk ka zë-Teuta-Shaqiraj 


Teuta-Shaqiraj 

Në Divjakë mbase era më solli se di.
Mbase fëmijëria erdhi këtë mbasdite gushti.
Aromë e pishave si dikur,
më solli një copëz prej Golemit
Shqisat flladiten brënda kurmit tim
për të sjellë pak freski nga Mali i Robit.
Rrëshirë e njohur m’u ngjit në ballë,
kisha mbështetur kokën si fëmijë,
më kishte njohur pishë e lashtë .
Mbeta aty,
si vajzë e ndrojtur nga takimi i parë,
Me krahët hark ,
përqafur,
gëzim i pashfaqur derdhet mbi lagunë
prej vitesh munguar…
Lëvore e ashpër u shkërmoq,
nën bluzë m’u fsheh si medaljon.
Deti sprapset në një zbaticë gelozie pa kthim,
teksa një pallua nga malli ynë në fluturim,
drejt ujrave të fjetura natën fsheh deri në zgjim.