Endacaku-Llesh Gjoka


Kish dashuruar njëherë e një kohë

Si gjithë të tjerët edhe ai e shtynte jetën

Dashurinë e derdhte lumë i gjori

Gjithçka ia dhuronte e bardha zemër.

Mëngjeseve i bënte trëndafilat të skuqen

Dhe shirat i ndizte ylber

Me puthje e mbulonte të bukurën

Zëëmbël i fliste përherë.

Por e dashura lektisi diku tjetër

Një ditë i thuri të zezën pabesi

La fjalë nëse donte ta takonte

Në fund të botës duhej ta gjente ai.

Duhej të bënte udhëtime të gjata

Drejt horizonteve të largëta me mjegull

Do të kalonte sa fshatra dhe qytete

Do të kapërcente shumë male e lumenj.

Prandaj udhët mori një ditë

Me qyrkun e vjetër ngjyrë gri

Se fat të ri s’mund të thurte

Ish betuar për të vetmen dashuri.

Në sprovë të vështirë e pa veten

I dukej se s’kish tjetër shpëtim

Kish dëgjuar në një përrallë të vjetër

Dashuria e vertetë e kish një çmim.

Si hije po zhdukej shpirtlënduar

Fundin e botës ta gjente s’kish fat

Mbeti endacaku i përvëluar

Duke gjezdisur udhëve fillikat.