ËNDRRAT E YJEVE
Mbështjell me krifën e kreshtës epike
vizatonte shqipja ëndrrat e yjeve,
natën udhëtonin terrnajave pa hënë,
ditën griseshin nga xhindët e pyjeve.
Rënkonte mali e copëtohej shkëmbi
kur thahej në gonxhe buzëqeshja e rrëzuar,
tinëzia zbriste nga barku i kalit,
amalgamë emblemash maskuar.
Vorbullonin retë ngarkuar me gjëma
nga stina në stinë nën shirat e qiejve,
vetonin rrufe e ndizeshin majave,
qeramikën e fatit e piqnim diejeve.
Rrokulliseshin vitet e hanin njëri-tjetrin,
frëngjitë digjeshin në barut e zjarre,
thekërishtet përzhiteshin nga hingëllima topash,
ndërronin turnet qiejt mbi varre.
U thyen muzgjet me gjysmëhënë e kryqe,
koha i vulosi në amfora të stampuara,
ëndrrat e yjeve mbetën sythe,
presin të çelin lule të vonuara.
@seti pezaku vladi
