Ëndrrat i shoh në Atdhe-Robert Shkurti


Oh, sa frikë kam kur bie të fle, gjumi më mundon aq shumë

sa shpesh me zor më zë, përpiqem si zog i vogël, mbyllur në fole.

Kurrë nuk do të doja të më zërë ky gjumë e t’më bëjë të fle.

Ëndrrat, ah të shkretat ëndrra, më fluturojnë me katapultë,

më hedhin larg dhe veten e shoh papritur në Atdhe.

Atje i shoh të tëra, atje i shoh. Shoh shtëpinë përdhese ku jam rritur, pranë vreshtit të madh me rrush, rrugicën ku luaja me shokët,

ku gjunjët thyenin gurë. Ngjitem në kodër në pranverë.

Tepsi bakllavaje, balona tabake që në qiell ngre,

me krahët e lehtë të erës, me krahë të lehtë.

Me shokët shkoj në plazhin e virgjër Currilë.

Dy feta bukë, një copë djath e dy domate në dorë,

trupçveshur, vetëm në të mbathura, zbres kodrën me dhè argjilor.

Më pas ëndrra ndryshon dhe nuk është më fëminore.

Më çon në parqe, në klube dhe në mbrëmje rinore.

Shpeshherë ëndrra më kujton harbime rinie,

ku zemrën e kisha bërë grep dhe e hidhja në bulevardin lumë

për ndonjë sirenë, me zemër dhe shpirt si unë.

Dhe më pas ëndrra më çon në një kohë bosh, bosh,

në një jetë pa jetë, derisa një ditë bashkë me mijëra vetë,

notova symbyllurazi drejt një të panjohure jetë.

Dhe aty papritur ëndrra seç merr fund. Zgjohem i përmallur,

dhe me sy të lagur, sikur të kisha dalë nga një i thellë lumë.

Endrra ndonjëherë shoh dhe n’emigrim,

por më të bukurat, dhe t’ëmblat me kujtime,

janë ato që shoh, tek më çojnë në qytetin dhe vendin tim.

Sot pashë një grua

Sot pashë një grua me fytyrë ere

ku pranvera kishte lënë gjurmët e saj,

një zog i bukur mbi një degë peme

cicërima habie këndoi për të.

Sot pashë një grua me fytyrë bore

ku dimri i kish veshur mantel të bardhë,

një ujk i uritur zbritur nga malet,

u magjeps nga gruaja, në gjunjë u fal.

Sot pashë një grua me fytyrë deti

ku dallgët ngriheshin si kurrë më parë,

një sirenë xheloze nga thellësia,

u ndje e mundur nga gruaja e rrallë.

Sot pashë një grua me fytyrë shiu

ku lotët rridhnin si nga një ujëvarë,

dhe retë tek putheshin me njëra-tjetrën,

ngazëllyen qiell e shndërruan në zjarr.

Sot pashë një grua me shumë fytyra

me vitet të gdhendura në formë stine,

ku çdo stinë e saj është shëmbëlltyra,

në është dimër, verë, apo kohë me erë.

Shiko statistikat

Mbulimi i postimit: 42

Pëlqej

Komento

Ndaj