Epigrame-Iliaz Bobaj


Iliaz Bobaj

(epigrame)

1. E BUKURA

E bukura është në pamje e hijshme

dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe.

Kur ka brenda vetes edhe mirësinë,

e bukura bëhet e madhërishme.

…………………………………………………..

2. POPULLI

Thonë ka forcë, ka fjalë, ka zë…

Këto i ka një popull që nuk flë…

………………………………………………………

3. DIMRI

Dimri i ashpër jeton në tokë,

në kohën e shirave, borërave, erërave.

Dimri më i egër,

jeton në shpirtrat e njerëzve.

………………………………………………………………

4. FOTOGRAFITË NË FACEBOOK

Sëmundje e rëndë kjo e fotografive,

sikush si Narcis, adhuron vetveten.

E vuajnë shumë njerëz, femrat ca më shumë.

Më keq nga të gjithë, e vuajnë poetët…

……………………………………………………………………………..

5. NATYRË E QETË BASHKËKOHORE

Jetojnë nën hijen e errët të heshtjes…

Të gjithë pro kundër vetvetes…

………………………………………………………………….

6. HIJET

Ngrihen e ulen në karrigen e pushtetit,

pa emër, pa vlerë, pa dritë, pa dije,

ca askushër që vijnë nga trevat e askundit

dhe ikin sërish, ashtu siç vijnë, si hije…

…………………………………………………………………..

7. MIRËSIA

Tek njeriu ajo është një virtyt i rrallë,

mirësia në shpirt është një fidanishte,

kur e ndan me të tjerët, nga lulnajë e saj,

mbjell tek ata nga një lulishte.

……………………………………………………………………….

8. LIRITË E MUSHKAVE

Mushkat, me lirinë e tyre,

s’i lënë gjë mangut kusurit.

Kur janë vetëm,

kërcet liria e shqelmit.

Kur është i zoti,

kërcet liria e drurit.

……………………………………..

9. NJË E VËRTETË

Nuk mbarojnë asnjëherë injorantët,

është fare e thjeshtë e vërteta:

çdo ditë prodhon idiotët e vet,

ashtu siç prodhon plehrat e veta.

………………………………………………………….

10. VIPAT

Sa vë pasuri një rrip,

të nesërmen bëhet…VIP.

Sa vë pasuri një rrip,

të nesërmen bëhet…VIP…