Epitaf i të burgosurve francezë-Përktheu-Gezim Baruti


Përktheu-Gezim Baruti

Nga Harmonitë Poetike të Lamartinit, për dashamirët e artit poetik, po postoj poezinë e mëposhtme, nxjerrë prej librit “Nga Shatobriani dhe Lamartini” i përkthyer prej meje.

(Vdekur si robër në Angli e për të cilët qeveria angleze

ngriti një monument)

Këtu flenë, hedhur nga dallga e luftës kur nis,

Ushtarë trima, lindur nën një qiell plot bukuri:

Të gjallë ata kan` mbajtur burgjet e Anglisë;

Të vdekur, ky fisnik vend u fal në të tijin vis

Mikpritjen e varrit t`zi.

Atje, çdo armiqësi shuhet poshtë gurit;

E fundit frymë shuan urrejtjen zemrash mbarë;

Të gjith` futen në paqen aty poshtë qivurit

Dhe er` e të mundurve atje përzien pluh`rin

Me pluhur ngadhnjimtarësh.

Dëgjoni! Nga toka një zë që vjen e ngrihet

Na thotë: “pse të luftoni e pse të pushtoni?

Toka është një varr, e lavdia si ëndërr shihet.

Durim o vdekatarë! Shpata në mill të vihet.

Se një dit` të gjith` në varr do shkoni!”