Epokë pa kalendar-Myrteza Mara


Myrteza Mara

Idhujt i vrasim e i varrosim vetë,

Me kazmën e fjalës së mykur;

Kështu ka ndodh që herët në mëngjes

Se diellin dhe hënën e duam të fikur.

Mjafton errësira, për shikimin e bufit,

Klithmë hijenash endur nëpër natë;

Ata që dikur imitonin strucin,

Tani mbi maja me dorë në shpatë.

E bëjnë historinë epokë pa kalendar,

Fshijnë çdo gjurmë nga e shkuara;

Kurorëzimi i tyre është faqa e parë,

Brezat shënohen në faqe të harruara.

Të tjerët kanë lartësuar monumente,

Për emra të stisur, vetëm për piketë;

Një Nastradin-simbol i gënjeshtrës,

Apo një Robin Hud, gati si mbret.

Ata që shikojnë me syzet e miopit,

Dinë kaq bukur të pështyjnë historinë;

Në themelet e lodhur të këtij kombi

Pështyma e tyre është si një minë.

Ndaj s’dimë nga vijmë e ku të shkojmë,

Se i djegim vetë pergamenët e kujtesës;

Psallmet e korba këngëtarë gjëmojnë

Nxijnë gjenezën nëpër librat e jetës.