Nga Boris Miska





Era Xinxo çeli ekspozitën e saj të parë me piktura
Eru. Era Xinxo çeli dje ekspozitën e saj të parë me piktura në një nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtarë.
Mora emocione të dyfishta, sepse aty kupton që po vjen një krijuese e re, me shumë temperament, njëkohësisht vajza e miqve të mi, Soneles dhe Ardianit.
Bijë e dy prindërve intelektual, ajo lindi prej një terreni që mbart jo vetëm talentin por edhe vullnetin për të arritur diku. Më kanë tërhequr vizatimet e para tē Erës fëmijë sepse aty shikoje jo vetëm botën e çiltër të moshës por edhe “rebelizmin” e të qenit ndryshe. Tek vizatimet në letër gjeje figurën dhe mendimin, distancimin nga ngjyrat e tepruara dhe largimin prej vijave “korrekte” imitimeve, apo kopjimeve që ndesh rëndom tek çdo fëmijë. Sot Era vjen e pjekur, ka një emër të sajin, kërkon vend në artet figurative, plot dinjitet dhe vërtetësi.
Eru vizaton sytë e njerëzve, ndalet shumë aty, vëzhgon thellë, prek dhimbjen, trishtimin, habinë, shpresën, dashurinë, varfërinë, dritën, moshën, ngjyrën, mendimin. Arrin t’i lexojë sytë sepse, siç thotë ajo; ‘ ato nuk gënjejnë kurrë’, janë të sinqertë, pasqyrojnë ngjyrat e shpirtit. Në morinë e telajove plot ngjyra, peizazheve e portreteve që sundojnë kudo, në dallim prej tyre, tek piktura e Eru gjen të ndryshmen, një zë të veçantë, plot dinjitet, penelin dhe lapsin që me siguri po debuton plot guxim në botën magjike të artit. Përqafime Eru dhe bekimin për një rrugëtim të suksesshëm.
Boris Miska
Tiranë 26 prill 2023.