Erdha, e ndeza oxhakun-Faslli Canaj

ERDHA, E NDEZA OXHAKUN

(Poemë)

Erdha…, Erdha…, Erdha….,

Luajtën vendit nga gëzimi

Pyjet me lisa, përralle, shkurre,

bredha e ferra.

Erdha…, Erdha…, Erdha…,

U dehën të gjitha rrugicat me gurgullima

Me shkulma gëzimi u përmbytën

përrenj, ara, lëndina e brinja.

Erdha…, Erdha…, Erdha…,

Fëshfërinin gjethet e ullinjve dhe kumbullave,

Tastiera të buta,

Ajri rreh krahët e tij si pëllumba.

Erdha, të ndez oxhakun…,

Gurët e oborrit nisën të vallëzojnë

Nën tingujt e Bet’hovenit, Paganinit, Shtrausit,

Po më bukur ishte teksa gjunjët thyenin e përthyenin,

Si im at e xhaxhai kur hidhnin vallen e bukur

labçe.

Erdha, oxhakun të ndizja…,

Tjegullat ngritur në këmbë,

S’ndalnin stuhinë e duartrokitjeve e, si ushtar besnik

Qëndronin në rresht gatitur.

Erdha, të ndez oxhakun…,

Hardhia më bëri dush me mushtin,

Pastaj për dore më mori, e kokën thellë më zhyti

Të thaja krejt butin.

Erdha të ndez oxhakun…,

Pra portës, kulpër u përkula,

Menteshat e portës derdhën lot malli

Pragu i portës me lot më lau si dhe e lava.

Pastaj rashë në gjunjë e pragun në buzë e putha,

Kanata e portës ballin më me zjarr më puthi,

Se sa unë e putha.

M’ u vesuan sytë, balli, faqet, kraharori

Dhe gusha.

Erdha të ndez oxhakun…,

Në mure faqen mbështeta,

Ndjeva si gjaku tyre shpërtheu si gjaku aortës

Dhe gurët plasën, u çanë , si pas shiu të tetorit

Çahet shega.

Erdha të ndeza oxhakun…,

Nën çati, në kor, ia shkulën një kënge

Me iso të fortë petavrat

Dirigjonin trarët.

Erdha, u ula pranë oxhakut…,

Ai, me buzëqeshje trëndafilash të bardhë

E veshi anë e mbanë

Vatrën.

Erdha…, Erdha…, Erdha…,

I ikur kurrë nuk kam qenë,

Këtu përherë pranë oxhakut qesh,

Dhe pse vendit e botës i jam sjellë vërdallë

Cep më cep.

Erdha…, Erdha…, Erdha…,

Koha më çoi deri larg në të tjera planete

Po, kudo ku isha, oxhakun e kisha

Përherë me vete.

Erdha…, Erdha…, Erdh…,

Kur ikja, me hap breshke lëvizja,

Si flutur më shpejt se sa ikja vija

Se vetëm, oh vetëm, gjatë dot atë

S’doja e s’mund ta lija.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Me gjunjë përthyer në vatër

Me eshkë e masat shkarpave

U vura flakën.

Erdhaaaa…,

Oxhaku Ia krisi të qeshurës vesh më vesh,

Flaka nisi mesin të këput më dysh dhe vals,

Me faqet e oxhakut, hedh.

Erdha, e ndeza oxhakun…,

Flaka shkrumboi krejt rrjetat

Dhe përcëlloi brenda tyre

Merimangat.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Tymi i bardhë

Pushtoi qiellin si Vatikanin

Kur zgjedh Papën.

Erdha, e ndeza oxhakun…

Mbi shkarpat, kërcunj prralli e lisi hidhja,

Me mashën e vjetër i shkrepja, shpuzën trazoja hapja,

Cep më cep oxhakut shtrija.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Me mashë shpuzova krejt vatrën

Vura mbi të ponicën, hodha përsipër,

Çerepin e saçin.

Erdha…, Erdha…, Erdha…,

Mund të shkoj, ndoshta,

Në Hënë, Jupiter a dhe të vizitoj Marsin,

Po me një frymë do zbres

Të ndez në çdo kohë

Oxhakun.

Erdha, ndeza oxhakun…,

M’ u drithërua zemra,

M’ u lëbyrën sytë,

M’ u flakëzua shpirti,

M’ u prushëruan faqet.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Shihja nga kolltuku

Të kërcisnin xixat, e ndrisnin si xixëllonjat,

Kujtimet e lashta.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Hopa kërceva nga kolltuku!

(Domosdo kisha kolltuk dhe këtu,

Modernuar ndër vite)

E u rehatova mbi të dhirtën postiqe.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Këmbëkryq kockat sheshova

Fëmijë, nisa, oxhakut të flakëruar,

Xixëllonjat të numëroja.

Erdhaaa…,

Xixëllonin xixat, xixe përcesh vallëzonin,

Unë, si dikur fëmijë, sysh i humbja,

Ngatërroja.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Mbi dërrasat e nimit brinjë e kokë mbështeta

Oh, sa ëmbël mbylla qerpikët,

Si qengj fjeta.

Erdha, ndeza oxhakun…,

Dhe nisa lutjet:

Qepallat rënduar, një ditë,

Këtu t’i ul, gjumi i thellë, mbi këtë nim të më marr,

Kokën mbështetur ta kem në cep të vatrës

Fryma prej buzëve, puf të dalë,

T’i fryjë zjarrit, butësisht, ngadalë,

Që të mos shuhet,

Përjetësisht ta mbajë si dhe e mbajta gjallë.

Tiranë, 13-14- 20 gusht 2025