Erget Cenolli:Shqiptarët që i dhanë fytyrën Muranos


SHQIPTARËT QË I DHANË FYTYRËN MURANOS

Para disa vitesh një italian u njoh me ekspozitën e prodhimeve të qelqit shqiptar, mbledhur dhe ekspozuar nga koleksionisti korçar, Mirgen Shamlli. Kur arriti tek peshku që është në ballinën e botimit të koleksionistit në fjalë, italiani tha se ky peshk është prodhuar në Murano të Venecias. Zoti Shamlli i shpjegoi se ky peshk qelqi është prodhuar në Fabrikën e Qelqit Korçë, por zotnia nga Apenninet këmbëngulte se është prodhim Murano-je.
Ndoshta fabrikat shqiptare të qelqit (vitet 1954-1992), nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Muranon, por që shqiptarët janë pjesë e mjeshtërisë së Muranos, kjo dokumentohet që prej shekujve XV-XVI. Midis atyre që kanë hulumtuar këtë mjeshtëri të shqiptarëve në Venecie është edhe Profesoreshë Lucia Nadin, e cila ka shkruar për këtë fakt në librin e vet “Shqiptarët në Venedik, Mërgim e integrim 1479-1552”. Tek libri në fjalë, faqe 155, rreshtat 1-11 (nga sipër), lexojmë:
“Kujtojmë se diku ndeshëm në një mjeshtër me emrin Stefan nga Danja, i cili shiste qelqurina në Nazaretin e vjetër. Në vitet e para të shek. XV ishte mjaft me emër në Murano furra “alla pigna” (tek pisha) e administruar nga një familje shqiptare dhe nga fundi i shek. XV Nikolo di Biaxhio nga Drishti, shqiptar, e vazhdon këtë traditë. Ai është regjistruar mes prodhuesve të qelqit si gastald (administrator shënimi im E.C.) në 1501 e 1505. Në vitin 1511 ai përmendet si pronar i furrës.”. Në një tjetër akt noterial, po ky, cilësohet si ‘mjeshtër qelqi’”
Leximi i këtyre rreshtave na çon në përfundimin se punimi i qelqit ndër shqiptarë ka qenë mjaft i hershëm dhe mjeshtrat shqiptarë, ndër më të dalluarit në këtë zeje artistike. Fakti që një prej piktorëve më në zë të asaj kohe në Venecie, Vittorio Carpaccio, mendohet se vjen nga rrethinat e Korçës, na shtyn të mendojmë se mjeshtra të tjerë të prodhjimit të qelqit ( veç Nikollës nga Drishti), mund të ketë pasur edhe nga krahina e Korçës, që njihet për mjeshtra në shumë zeje.

ERGET CENOLLI

About Post Author


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.