Etjen nuk e shove-Bilbil Murataj


Etjen nuk e shove

Ndën hije të rrapit

U ule pushove,

Pive ujë sa deshe,

Por etjen s’e shove,

Ndënje ndënë hije

Me sytë nga stani,

Prite disa çaste

Të vijë djalë çobani,

Nuk shuhet etja

Me ujin e malit,

Etjen veç ta shuan

Dashuri e djalit,

Ndën degët e rrapit,

Mbi flokët e tua,

U ul pa u ndjerë

Zogu guguftua,

Të zbriti mbi supe

Dhe të përqafoi,

Një këngë të bukur

Për ty e këndoi,

Me gjithë zogjtë e pyllit

Në krahë të bandillit,

E shove ti etjen

Buzës së burimit.