Eva Gjoni-“Passhpinët” një dëshmi…


‘Passhpinët’ një dëshmi…
Novela në këndvështrimin e Eva Gjonit.

Të shkruaja për librin e njeriut të jetës time ishte impenjim sa i lehtë dhe i veshtirë, pasi endesha midis personazhit dhe autorit, diçka komplekse që duhej fragmentuar në kohë e ngjarje.
Novela e Borisit bazohet në disa dorëshkrime të hedhura në variant të lirë shumë vite më parë, të cilat kur i lexova më surprizuan.
Bisedat e gjata rreth tyre më bindën se ato ishin skeleti i një vepre letrare të pjekur, ndaj e inkurajova t’i plotësonte.
Kur mora në dorë shkrimin e përfunduar u ndjeva e përshtjelluar, Bujari personazhi i librit dhe Borisi ishin vazhdim jetësor i së njejtës qenie që unë njoh e vlerësoj.
Gjatë leximit në mendje më shfaqej zëri i tij me atë diksionin e veçantë që të bën ta dëgjosh me ëndje, është zë zotërues.
Novela ‘Passhpinët’ vjen sot si dëshmi për atë që përjetoi, që pa e dëgjoi, jo e deformuar, e sinqertë dhe e pandotur.
Që në faqen e parë renditja e emrit të autorit, përcaktimi i llojit të gjinisë së veprës dhe titullit, ishin korniza e duhur që e vishte librin.
Ajo në llojin e saj sjell tek lexuesi një ndjesi të butë, pasi kemi të bëjmë me histori njerëzore, parë në aspektin e individit në raport me jetën dhe kohën.
Vetë titulli i librit është pjesë organike e tij, trungu mbi të cilin Boris Miska ka ngritur gjithë novelën e tij.
Udhëheqja e intrigës, zotërimi i pushtetit të saj deri në çdo skut të qenies njerëzore!
Intriga si domosdoshmëri, si motiv, si pasion, si obsesion, si nevojë për njerëz të cilët nuk mundin dhe nuk e kanë aftësinë për të qenë ndryshe. Passhpinët të krijuar për të qenë të tillë, të varur plotësisht nga kënaqësia që ju sjell intriga, një pasion që i shoqëron gjithë jetën, një psiqikë e sëmurë që vdes bashkë me ta.
Kohët e fundit gjatë procesit të mbylljes patëm diskutuar shpesh rreth librit, për të sjellë atë panoramë të përfolur, ose që ishte lënë në ‘turbullirë’ qëllimisht pa u anlizuar nga historian dhe studiues të epokave dhe rendeve shoqërore.
Ishim të dy në dakortësi se vlerësimet e ngjarjeve e fakteve duhen bërë brenda periudhës, kohës dhe hapsirave kur kishin ngjarë, jo nga pozitat e tanishme.
Në novelë Boris Miska jep disa dëshmi rreth atyre ndodhive të fillim viteve 80-të.
Janë te tijat, të përjetuara te cilat i shtjellon me korrektesë dhe mjeshtëri në rrjeshtat e librit.
Autori flet nga rrethana të favorshme njohjeje, pasi babai i tij ishte një nga drejtuesit e lartë politik të kohës, jo pak herë i veshur me pushtet me peshë politike e shtetërore.
Në biseda të lira ai e vlerëson shumë babain, pasi ai ishte nga ata njerëz që e njihnin dhe zotëronin punën e tyre, u shkonin gjërave deri në fund me përkushtim. Ishte i drejtpërdrejtë në atë që thoshte e bënte, ai i shërbeu punës pasi vetëm atë njihte si udhërrëfyese gjatë gjithë jetës së tij dhe pikërisht puna e kishte nderuar, nuk e pati braktisur kurrë.
Ky raport respekti e modeli, si dhe edukimi i autorit të librit në shkencën e filozofisë e të politikës, e ndihmojnë të jetë korrekt në linjën e tij.
Libri nuk ka si qëllim në vetvete analizën e asaj periudhe, por aty vjen një pjesë jete e tij, me rrethana e ngjarje që lanë gjurmë dhe ndikim tek ai.
Autori ka arritur me mjeshtri ta ruaj raportin midis jetës së vet dhe ngjarjeve të atyre viteve, duke i’u shmangur ngarkesës politike e cila mund ta ‘mbyste’ e nxirrte në periferi anën jetësore të novelës.
Nisur nga kjo, me analizën time shkoj larg në kohë, bëj një kthim mbrapa në ato vite të rinisë sime.
Fëmijët e bllokut, çfarë flitej për ta, si shikoheshin, një jetë diskrete i mbështjellë ata, gjithëkush e lexonte si mundej.
Por kryesorja është se ata ishin ‘të veçantë’, ata ishin në qendër të vëmendjes dhe në vëzhgimin e të gjithëve.
Nuk e di sa prej tyre e pëlqenin këte gjë, sa e shfrytëzonin duke kënaqur egon e vet për të qenë mbi të tjerët, sa nuk ndiheshin mirë, u mungonte liria për të bërë atë që donin.
Ata ishin fëmijët e ‘atyre’, ata duhej të ishin ‘perfekt’, sikur të ishin qenie robotike të formatuar me programe dhe informacine që duhej të zbatoheshin.
Gjithmonë kam menduar se dashuria në atë territor ishte diçka e mbushur me mister, për të nuk duhej folur.
Vazhdimësia e jetës, miqësitë, krijimi i familjes, çdo lidhje duhej të aprovohej nga ata, pjesëtarët nga brenda mureve.
Bedenat e kështjellës nuk mund t’i kapërcente çdo njeri që nuk plotësonte kushtet, dashuria ishte protokollare brenda tyre.
Bujari personazh i novelës, ishte rritur me shumë kujdes dhe kishte marrë dashuri e përkëdhelje, ndoshta më shumë se fëmijët e tjerë.
Shpirti i tij kishte një ndjeshmëri fluide, si fija nervore që çdo vibrim e bënte të reagonte. Varej nga rryma, ai lëndohej lehtë dhe lumturohej si fëmijë i pastër në botën e tij ndërtuar me ëndrrat e moshës.
I mbushur nga lexime të shumta të letërsisë ai e kishte përgatitur terrenin e tij shpirtëror, priste t’i ndodhte ajo ndjenjë që me magjinë e saj do e plotësonte dhe ushqente çdo pikë jete brenda tij.
Me brishtësinë e vet shpesh harronte që ishte pjesë e atyre mureve të ngurta që shumë i ëndërronin, si në një përrallë të ndaluar për ta ditur.
Në ndjenjën e Bujarit ishte çdo gjë aq e dlirë, e drejtpërdrejtë dhe e hapur. Ju dha me tërë shpirt dashurisë dhe mori po të njejtën gjë.
Asnjëherë nuk menduan se kishte ndonjë forcë që mund t’i ndante, ata kishin besim tek ndjenja e tyre, çdo gjë ishte e pafajshme dhe e bukur.
Bujari dhe Aurora nuk ndiheshin toksorë pranë njeri-tjetrit, tërhiqeshin gjithmonë e më shumë drejtë bashkimit pa fund që qëlloi fatal për ta.
Ishte kjo tërheqje përplasëse si dukuri apasionare e cila i shkërrmoqi të dy.
Vendimarrësit nuk ishin ata, por hapsira ku jetonin, lidhjet ishin të kontrolluara, pragun nuk mund ta kalonte kushdo.
Fëmijët e ‘kështjellës’ ishin të izoluar brenda me kushtet e saj, ata të ‘përrallës së magjishme’ u lindën me një kordon rreth fytit, kur largoheshin i’u shtrëngohej.
Bujari, personazh qendror në libër, guxoi dhe laku e asfiksoi, pasi fati i tij ishte i përcaktuar.
Do mundohej ta merrte veten mbas kësaj, por dashuria mbeti aty brenda tij dhe filloi ta mbështjellë si një embrion me veshje kristali.
Ajo ishte si ato statujat e rralla miliona dollarëshe që ruhen me një siguri të lartë dhe njerëzit vetëm munden t’i shikojnë nga larg.
E vlerësoj dhe e respektoj shokun tim Borisin, ai mbas kësaj historie të sjellë aq fisnikerisht mori një dimension tjetër.
Ai diskuton me një elekuencë të veçantë gjithmonë në bisedat tona për atë kohë e për të sotmen.
Në analizat e gjera, jo vetëm të spektrit të brendshëm por dhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, agumentoheshin bindshëm prej tij.
Njeri i lexuar dhe informuar për shkrime, botime që flasin për politikat përcaktuese të shoqërive, prirjet dhe vetot që vendoseshin mbi fatin e vendeve të vogla.
Novela ‘Passhpinët’ është libri i parë që boton, por ai së fundmi ka arritur të publikojë mjaft tregime, skica letrare dhe analiza që sjellin tjetër pamje të krjimtarisë së tij.
Përmendim këtu; ‘Tragjedia e motrës Hajrie’, ‘Saga e P’llumit’, ‘Këndezi i Zylos’, ‘Tregëtari i sekreteve’, ‘Diversanti me leje krijuese’, ‘Servili i Çomes’, ‘Çuni i Thanasit’ etj, të gjitha përmbledhur në një libër të pagëzuar ’Humor në prush’ që do e botojë së shpejti.
Titulli i novelës ‘Passhpinët’ i erdhi natyrshëm në përfundim të librit, qëndroi aty dhe fjeti si tesha e rehatuar mirë në trup.
Eshtë gjetje e autorit, togfjalësh i ri që të fut në mendime.
Gjatë debatit mbi disa tituj ai këmbënguli tek ‘passhpinët’ dhe më bindi me kuptimin e saj.
Passhpinët, sipas Borisit, bëhen pjesë e pushtetit, skuthen pranë tij, janë rekuizita dhe grimierët e dramave, i gjen në çdo intrigë e shpifje, pas kulisave, ngjarjeve e krimeve.
Passhpinët nuk janë shtetarë dhe s’bëhen kurrë të tillë!
Edhe kur vijnë në pushtet nuk dinë të sillen me shtetin, s’kanë aftësi qeverisëse, për pasojë çdo gjë e rrënojnë, sundimi i tyre degjeneron e shkërrmoqet si godinat pa strukturë.
Ata nuk kanë burrëri, as parime, as moral, njohin vetëm interesat për të cilat janë gati të bëjnë kurban këdo si Agamemnoni të bijën.
Nuk janë të pakta rastet kur passhpinët janë bërë fuqiplotë, jo aksidentalisht, por si rrjedhojë e intrigave e komploteve. Janë graduar papë e perandorë, sulltanë, sekretarë të pëgjithshëm, kryeministra, presidentë e kryetarë shtetesh.
Këto ngjitje në pushtet shpesh kanë qenë ose prologu i degjenerimit të perandorive të mëdha, apo i shteteve të fuqishme, ose fundi e rrënimi i tyre.
Dhe kishte të drejtë!
Kjo ngjau vërtetë edhe me passhpinët e novelës së tij.
Ata injektuan buroktacinë partiake kudo në çdo qelizë të shoqërisë dhe e rrëmbyen ‘kurorën’ pa ditur të mbretërojnë.
Për pasojë e gjithë piramida e ashtuquajtur ‘parti-shtet’ që ngritën u gremis brenda një nate dhe ‘fruti’ i këtij rrënimi do pengojë për dekada të tëra formimin dhe mpiksjen e një shtetit modern evropian.
Passhpinët e librit të tij në realitet mbetën hileqarë dhe të tillë ikën nga kjo botë. Tinëzisht u larguan nga skena si skuthët, fikën dritat pa e ndriçuar asnjëherë të vërtetën.
Libri i Borisit ka ardhur si një narracion por shumë pranë realitetit.
Për të mos i dhënë ngarkesë të panevojshme ardhjes së novelës në kohë emrat e Bujarit dhe Aurorës janë ndryshuar, ndërsa deformimi i emrave të passhpinëve nuk e humbet aspak identitetin e tyre, gjetje kjo e vetë autorit.
Novela ‘Passhpinët’ është një rrëfim që lexohet pa ndërprerje, tërhiqesh t’i shkosh deri në fund me kërshëri, pasi ndërmjet rreshtave gjithmonë has të pathënat e dukshme që e plotësojnë më shumë veprën.
Gjuha e përdorur është pjesë e të folurës së tij korrekte bindëse, por aty dallohen edhe përshkrime me një ngarkesë poetike që e zbusin veprën me ndërthurjen e tyre.
Emocionet janë të drejtpërdrejta, pa veshje kortezie për t’i treguar apo për t’u dukur më mirë, ndjesi ku çdo njeri lehtësisht gjen veten.
Të sakrifikosh dhe të të sakrifkojnë janë gjëra të ndryshme.
Kjo është ajo që Boris Miska sjell me librin e vet ‘Passhpinët’, ky është mesazhi që rrëfimi ka si mision, gjë që përcillet jo pa mjeshtëri aty.
Nuk mund të shprehem më gjatë për çfarë përjetova, pasi jam e bindur se po ta rilexoj do e shkruaj analizën sërish nga e para, por ndjesia ka për të qenë e njejtë.

Shenim.
Novelën ‘Passhpinët’ mund ta gjeni tek Libraria ‘albas’.
Rr ‘Xhorxh W Bush’, në krah të qendrës tregtare ‘Toptan’.

About Post Author