Të jemi bashkë!
Ai e mori në telefon dhe i tha të bëhej gati, do shkonin te shtëpia në plazh.
Ana bëri gati çantën me gjërat që i duheshin dhe po priste qe ai të vinte.
I foli nga citofoni, Ana zbrit, jam poshtë.
U nisen. Anës i pëlqente ta mbante hapur xhamin e makinës, ndihej mirë kur era e prekte në fytyrë. Ajo i mbante sytë mbyllur, i dukej sikur fluturonte dhe e çante erën.
Duke ndenjur ashtu e zuri gjumi.
Ai e shikonte herë pas herë, fytyra e saj ishte e bukur dhe kur flinte çdo qelizë e saj ishte e qeshur. muskujt të relaksuar. Ajo e shijonte gjumin, ishte si fëmijë .
Arritën tek shtëpia në plazh.
Ai u mundua të frenonte ngadalë, nuk donte ta zgjonte.
E puthi lehtë ne gushë dhe pastaj në buzë.
Ana u zgjua.
-Paskemi arritur, sa u qetësova!
-Hajde, i tha ai, të bëhemi gati të dalim, ka akoma diell dhe dua të notoj.
Ajo filloi t’i vendoste gjërat nëpër vende dhe ai që i thërriste të dilte pasi vetë ishte gati.
I la ashtu përgjysëm, asnjëherë nuk e kundërshtonte për gjërat e vogla të përditshme.
Ana doli e veshur me një palë rroba banje trup të zeza dhe rreth belit kishte lidhur një shallë ngjyre deti.
U nisën drejtë bregut, menduan të ulen në rripin e lagur të rërës. Ishte ngrohtë dhe lagështia nuk i shqetësonte.
Ai e kishte mbështjellë në krahët e tij dhe e puthte duke u marrë erë flokëve te saj. Ndiente atë ngrohtësinë që nxirrte lëkura e saj.
-Më thuaj, i tha, çfarë do të thotë të jemi bashkë?
-Si e kupton ?
-Të jem me ty, kuptoj të jem në mendimet e tua, u përgjigj Ana.
-Të jemi bashkë është kjo tani këtu mbështetur në qenien tënde të dukshme dhe në atë qenien tënde surreale, ajo qenie që hyn brenda meje në çdo kohë, më mbështjell e nxjerr nga unë atë që kam pasur frikë të jem.
-Kudo ku ndodhem të kam me vete, jam me ty, jemi bashkë .
-Vetëm unë dhe ti.
-Të jemi bashkë do të thotë të jesh mendimi i parë i mëngjezit dhe i fundit në mbrëmje, të jesh ëndrra ime që më zgjon.
-Gjatë ditës të ndihem mirë që të kam dhe jeta të vazhdojë rrjedhën e saj.
-Të jemi bashkë do të thotë të bisedojmë në heshtje, të mos flasësh kur bën dashuri, sepse je duke thënë gjithçka, të marrësh atë qetësi që vetëm prania jote jep.
-Të jemi bashkë në fantazinë time, kur dëgjoj një këngë dhe kërcej me ty.
-Të më kesh pranë kur ndodhesh kilometra larg, mos ndjesh frikë se nuk më mendon, se nuk ke mall për të qenë të dy.
-Te jemi bashkë do të thotë të jemi të lirë dhe të ndihemi një. Dashuria është fllad, po e mbylle ajo vdes .
Ajo u ngrit dhe shkoi të futej në det.
Ai po e vështronte si deti e prekte trupin e saj, si prekja ngjitej ngadalë.
Ai e ndjente atë prekje, ishte aty në trupin e saj.
Kjo është të jemi bashkë, tha dhe shkoi të notonte me të.
Eva Gjoni
…
Tash edhe kur du me u zhvenos
Veç teshat ikin unë mbes këtu
Njaty përball teje t’uj vështru
S’di si pa ty kam mund me jetu
Eva Gjoni
