Fagocity-Brixhilda Dede


FAGOCITY

( Të rrethon e të tret )

Atyre ju mjafton e sotmja,

sepse janë midhje e duhet të qëndrojnë brenda guackës së tyre.

E nesërmja vjen pa asnjë reflektim,

Me heshtjen e një të vdekuri që ju bë funerali.

Mundet përreth të ndodhin shumë, ditët të bëhen netë.

Mbase një buf do të argëtohet, marë dhe pozicionin e zogjve, vetja do ti duket mbret.

Unë isha duke ardhur tek ti i dashur,

në një destinacion pa stacion.

Rrugë më prenë ca betonë godinash të shëmtuar,

ku banorët frymonin me zorr dhe kandilët e shpirtit heshtnin në trishtim.

“Dinë e iman” s’ ka ky milet, u dëgjua një zë që theu heshtjen.

Veshët më buçisnin nga fjalë të ngatërruara e nuk dija në kë shtet kisha mbëritur.

Jo, nuk është ky qyteti im,

Asnjë të njohur nuk shoh,

Në qytetin tim, ka qendra historike shekullore, trashëgimni kulturore,..

Ndërsa ky qytet, qenka kaq i varfër, qytet pa emër, qytet greminë.

Këta lakminë e kanë në ADN foli dikush mbrapa shpinës dhe u shua nga faqja e ditës, si ta kishte përpirë dheu.

Teksa terri i natën binte, qielli ngjante me një shpërbërje segmentesh.

Rrufe godisnin fate të mjerë.

Nata kishte rënë si një masakër e frikshme ngarkuar me frekuenca ditësh të trishta.

Buzëqesha,

dhënë natyrës një shans të dytë.

Dita do të zbardhte, por mbase dielli nuk do të ngronte si më parë pas një nate stuhi.

Tastjerat e një kompjuteri më tregonin rrugën për tek dashuria në pritje.

Në një pllajë krejt të huaj,..

Tashmë isha e sigurt se ai vënd i panjohur ku nata zaptonte ditën,

Kishte qenë një emër shumë i lashtë, dikur,.. Në hartë.