Qemal Murati

FAIKOLOGJI (KONICOLOGJI)
Faik Konica – një figurë vigane e Rilindjes Shqiptare, të cilin natyra e kishte pajisur me virtyte të mëdha, për gjuhën shqipe qenia e tij ka qenë providenciale (një e mirë që bie nga qielli). Toskërishten e sotme, gjuhën letrare në të cilën janë tretur dhe njësuar dialektet krahinore të jugut, ua detyrojmë – pas Peshkopit të Eubesë dhe pas Elbasanasit të madh, Naimit, Faikut, Çajupit dhe Fan Nolit. Në krye të tyre qëndron Faiku, i cili me talentin e tij gloso-plastik të paarritur deri sot, diti ta ngjeshë, ta punojë dhe t’i japë toskërishtes finesën që kanë shkrimet faikiane. Për formimin kombëtar shqiptar, Faiku ka punuar sa pak shqiptar (Nasho Jorgaqi).
Me penën e tij të mprehtë ai i dha kombit xhevahiret më të çmueshme në fushën e mendimit si asnjë tjetër përpara e pas tij. Arma e tij më e fortë ishte mendimi i rreptë kritik, që aq shumë na mungon sot në rrafshin tonë kombëtar. Në këtë veprimtari ai përdori pallën e penës: Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
Përsiatjet e Konicës për kombin, për gjuhën, për veset a cenet e shqiptarit janë proverbiale (që njihen dhe mbahen në gojë nga të gjithë si një proverb), që duhen mbajtur si vath në vesh përhera. Ja disa syresh, që janë aktuale edhe për kohën e sotme:
Përsiatje për formimin kombëtar shqiptar: Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
(Kjo prapambeturi në shoqërinë shqiptare është ulur këmbëkryq edhe sot. Europa dhe bota na shikojnë me habi sesi deputetët nuk janë në gjendje të konstituojnë Parlamentin e Kosovës në rrafsh 54 seanca parlamentare! Kurse politikanë shqiptarë u japin “mësim” Europës dhe diplomatëve europianë se si duhet të sillen ata me ne!).
Përsiatje për gjuhën letrarishte: Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).
/Shënim. Tani që shqiptarët e kanë gjuhën e tyre letrare, tash e 50 vjet, me kontributin madhor të Faik Konicës, ka vetje që i bien moh kësaj gjuhe, që e kontestojnë mjerueshëm. Kontestuesit a mohuesit e shqipes standarde, po të shprehemi me fjalët e Pjetër Bogdanit: “Ndonëse janë shumë të paditur, megjithatë lypin qimen në vezë.”/se i qenka bërë padrejtësi gegnishtes!/
Përsiatje për kritikën e një vepre: Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).
/E sot kritika te ne është për asgjëkundi, kot fare, e paqenë, me lavdrim-mohime që nuk i shërben as veprës, as autorit e as lexuesit!/.
***
Faik Konica është libri i kombit. Vepra e tij duhet të mësohet e studiohet jo vetëm si lëndë në fakultet me 2-3 orë, por si lëndë semestrale: Faikologji (Konicologji) – edukim kombëtar shiptar, siç është ta zëmë dhe një lëndë e re që ka hyrë në shkollë – Edukim qytetar. Nga mësimet e Konicës të artikuluara këtu e një shekull më parë, ne nuk kemi mësuar pothuajse asgjë. Shikoni sa vepra koti botohen, që nuk i lexon e nuk i vlejnë askujt; sa diploma universitare e doktorata koti janë prodhuar e lëshuar në qarkullim nga universitete koti; sa akademikë analfabetë e akademi koti kemi sot! Sa albanologë koti merren me albanologji e me pellazgologji!
E shoqëria shqiptare, institucionet shqiptare, intelektualët shqiptarë, nuk marrin mundin të reagojë për asnjë nga këto dukuri siç reagonte në kohë të tij një Faik Konica i papërsëritshëm.