Faji-Bilbil Murataj


FAJIN E KA I MADHI

Një ditë një bujk

Me qetë shkon në arë,

Burri me parmëndë,

Gruaja hidhte farë

Një ka më i madh,

Më i vogël tjetri,

Të dy nën një zgjedhë,

I riu dhe i vjetri

I riu – i drejtë,

S’kish hile në mënd,

I vjetri s’lëvizte,

Por rrinte në vënd

Bënte sikur hiqte

I vjetri i pabesë,

I riu pa hile

U këput në mes

Bujku kokëtrashë,

Hilen s’e kuptonte,

Ndaj dhe me hosten

Të voglin qëllonte

Aty afër bujkut,

Rrëzë një korije,

Një tjetër fshatar

Po rrinte në hije

I erdhi shumë keq

Dhe nuk duroi dot,

Tutje nga bujku

-Punë e mbarë, i thotë

Të të them të drejtën

Shumë keq më vjen,

Që vetëm kaut të vogël

I bie me hosten

-Në vijë ikën shtrembër,

Ja shikoje pak,

Do thikën në zverk,

Hostenin e ka hak

-Mos u bëj budall,

Kafshë janë të dy,

I madhi ja bën

Të voglit me sy

Po qe se i vjetri

Bën sikur tërheq,

I riu do bëjë

Keq e mos më keq

Ndaj bjeri të madhit

Me hosten gjithmonë,

Se i vogli bën

Atë që shikon …