Fatjon Malaj
Leopard 2A6,
Zgjatje apo fund i një lufte!
Administrata e Moskës konsideron e deklaron se lufta Rusi-Ukrainë nuk është vetëm një luftë midis Moskës dhe Kievit, por është një luftë midis Rusisë dhe Perëndimit në të cilën janë përfshirë Europa dhe SHBA-të.
Ndërsa bashkpunimet ushtarake dhe ekonomike midis Ukrainës dhe Perëndimit intensifikohen, Rusia pasqyron bazuar mbi këtë argument se ajo është në luftë e cila zhvillohet jo vetëm me Ukrainën por me gjithë shtetet e Perëndimit i cili mbështet e qëndron mbas fuqisë së rezistencës së Kievit.
Bazuar në këtë vlerësim, Moska nuk do të hezitojë të rrezikojë përhapjen dhe përshkallëzimin e konfliktit për të mos humbur këtë luftë, pasi si ndikimi i administratës së Putinit në Rusi ashtu edhe statusi i Rusisë në rendin global do të rrezikohen në rast të humbjen së luftës.
Për këtë asrye, Rusia, e cila dëshiron ta fitojë me çdo kusht luftën, konsideron se e gjithë ndihma e cila i shkon Ukrainës do të shkaktojë vetëm zgjatje, zgjatje dhe përshkallëzim të luftës, pasi Rusia sado gjatë që të rezistojë Ukraina, ajo në mënyrë kategorike nuk do të tërhiqet.
Qysh prej fillimit u pa qartë se vendet evropiane (NATO+BE) nën udhëheqjen e SHBA-së përshpejtuan ndihmën e tyre me armë të rënda për të rikthyer Forcat Tokësore të Ukrainës në fuqinë sulmuese kundër Forcave Tokësore Ruse, kjo solli edhe rezultate konkrete shumë të suksesshme.
Në këtë kuadër, ditët e fundit ka dalë në pah ndihma me tanke, e cila është një nga armët vendimtare të forcave tokësore. Pas diskutimeve të gjata në Gjermani, e cila ka qenë lideri i padiskutueshëm i industrisë së prodhimit të tankeve në Kontinentin Evropian për më shumë se një shekull, u vendos që t’i dhurohen Ukrainës 14 tanke Leopard 2A6.
Para se të merrej ky vendim, pati një periudhë të gjatë kundërshtimesh në qarqet politike gjermane dhe në opinionin publik vendas. Ky vendim solli kundër njëri-tjetrit politikisht kancelarin Olaf Scholz me disa nga anëtarët e qeverisë së tij. Si dhe kancelarin me disa qarqe ushtarake të cilët kërkojnë më shumë për ushtrinë e tyre.
Qeveria gjermane këmbënguli për dërgimin e Leopard 2 në Ukrainë, e duke parë këtë qëndrim nxitimthi Rheinmetall (kompania prodhuese) bëri një debutim/tregues dy javë më parë si dhe njoftoi se 139 tanke mund të dorëzoheshin në këto momente nëse do dëshiroheshin.
Por një javë më vonë CEO i kësaj kompanie bëri një korrigjim, duke deklaruar se vetëm 110 prej këtyre tankeve mund të dorëzoheshin vetëm deri në vitin 2024. Disa politikanë dhe veçanërisht ushtarakët u shfaqën shumë të shqetësuar nga kjo shfaqje komerciale (Rheinmetall po përpiqet të rrisë vlerën komerciale të tankeve të saj duke shtrytëzuar luftën Rusi-Ukrainë, përshkak se kjo kompani është e shqetësuar se Turqia ose Koreja e Jugut do të kapin tortën komerciale me 2500 tanke të cilat u nevojiten tregjeve evropiane, aziatike dhe të Lindjes së Mesme). Për shkak se vetëm 212 nga 320 Leopard 2 (66 për qind) të cilat janë në inventarin e ushtrisë gjermane janë gati për detyrë, por edhe tanket e mbetura janë me defekt në pritje të pjesëve, kjo situatë në qarqet ushtarake gjermane shkaktoi zemërim duke parë se kompania përgjegjëse e prodhimit të tankeve për shkak interesash ekonomik iu drejtua tregut të huaj duke mos trajtuar si prioritet e neglizhuar nevojat e ushtrisë gjermane.
Ndaj këtë kontekst duke parë nevojat e brendshme duhet vlerësuar si hap shumë altruist rasti i dhënies së tankeve Leopard Ukrainës, për të cilën Gjermania dha dritën jeshile dhe do të fillojë dorëzimi shumë shpejt. Është për tu theksuar fakti se, para luftës ka pasur një bashkëpunim serioz midis administratës së Berlinit dhe Moskës, veçanërisht në fushën e energjisë. Megjithëse këto marrëdhënie u dobësuan me fillimin e luftës, fillimisht Gjermania ndoqi një linjë më të kujdesshme ndaj Rusisë dhe ishte disi e tërhequr për të ndihmuar Ukrainën. Dërgimi i tankeve Leopard në Ukrainë, në njëfarë kuptimi, do të thotë të shkosh më shumë se një hap më tej nga kjo linjë. Komentet e zyrtarëve rusë për këtë çështje janë bërë në mënyrë simetrike me qëndrimin e Rusisë ndaj rrjedhës së luftës dhe marrëdhënieve Moskë-Berlin. Zëdhënësi i shtypit të Kremlinit, Dmitri Peskov, duke folur për këtë temë, vuri në dukje se dërgimi i tankeve Leopard do të shkaktonte një plagë të thellë në marrëdhëniet ruso-gjermane dhe nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të zgjaste luftën.
Është vlerësuar nga shumë ekspertë dhe zyrtarë të ushtrisë ukrainase se tanket Leopard do të kenë një ndikim pozitiv në aftësinë luftarake të Ukrainës. Por është e qartë se rusët do t’i përgjigjen këtij efekti dhe do të bëjnë lëvizje për të përshkallëzuar luftën. Prandaj, për sa kohë që tanket Leopard nuk i mundësojnë Ukrainës të arrijë një fitore të shpejtë në fushën e betejës, ky vendim i administratës së Berlinit do të rezultojë në një përshkallëzim të luftës në një masë të caktuar. Këtu, administratat e Berlinit dhe Kievit argumentojnë se tanket Leopard do të kenë një ndikim kritik në aftësinë luftarake të Ukrainës, ndërsa administrata e Moskës argumenton se kjo ndihmë do të ndihmojë në përhapjen dhe përshkallëzimin e luftës.
Megjithatë, rusët mund t’u përgjigjen vendeve që mbështesin Ukrainën me metoda asimetrike dhe indirekte. Duke marrë parasysh hapat e mëparshëm të ndërmarrë në lidhje me energjinë, opsionet asimetrike të Rusisë janë gjithashtu të kufizuara. Veprimet e mundshme ruse; Mund të jetë për të treguar forcë me stërvitje, për të mbajtur NATO-n në gatishmëri të vazhdueshme dhe për të shtyrë vendet perëndimore të marrin vendime të vështira në kontekstin ekonomik.
Tashmë mbetet për tu parë se,
Sa do të ndikojë dërgimi i tankeve Leopard në Ukrainë në ekuilibrin e luftës Rusi-Ukrainë?
Do të sjellë fund apo zgjatje të luftës këtë do ta tregojë koha?
