Fatmir Gjata
Çift mjellmash

Pashë dy mjellma të lundronin në liqenin pa kufi
Njëri tjetrin përqafonin edhe bënin dashuri
Hapnin krahët bardhë borë e me sqepa bënin shënjë
Dhe pse ish dimër i gjorë nëpër kashtë e nëpër rrënjë.
Ata loznin aq të dlirë saqë krejt mu duk kjo botë
Mjaft të shprehësh një dëshirë e të luteshë në Zot
Siç bëjnë mjelmat qafëgjata në agim të mrekulluar
Tundin pak pëndët e arta edhe shkojnë të dashuruar
Nëpër valëza kaltëroshe nëpër ujë kur shkon ngadalë
Zënë një vënd edhe një qoshe e nuk flasin asnjë fjalë
Vetëm puthen dheleplotë kur bën diell e bie shi
Pastaj ngaqë s’ndahen dotë përqafohen përsëri.