Fatmir Gjata:Gjuha


Fatmir Gjata

Gjuha

Më ka çuditur dhe vazhdoj të çuditem me përdorimin e gjuhës së urrejtjes aq e përhapur, e përditshme, gati natyrale. Jo vetëm por edhe prishja e kuptimit të fjalëve. Nuk e di sa prej jush e kanë provuar kur shkojnë në Shqipëri këtë ndrydhje kur flasin me bashkombasit e vet sepse ndërthurja e fjalëve tashmë ka marrë një rrugë pa kthim drejt ndërhyrjes së gjuhëve të huaja.

Mendoj se shqipëtarët janë shumë të lidhur me njëri tjetrin por nuk e gjej asnjëherë të shprehur këtë lidhje në përdorimin e gjuhës, duket sikur diçka e hidhur dhe e mallkuar na shoqëron, diçka e mallkuar na hyn në shpirt dhe ka njërëz të caktuar që këtë helm në vënd ta shërojnë mundohen ta perhapin sa më shumë. Në politikeze flitet pa dert për “armik” dhe fakti që askujt nuk i bën më përshtypje është me të vërtetë e llahtarshme. Në çdo vënd të qytetëruar nuk flitet kurrë për kundërshtarin si armik por thjesht si për dikë që ka ide tjetër. Dy skuadra në fushë nuk janë armike. Ky fakt më bën të dyshoj që ka diçka të pashëndetshme për kombin në përdorimin e gjuhës. Diçka që helmon çdo dialog e lidhje si shpirtërore po ashtu dhe miqësore, tregëtare, etj. Kujt i intereson kjo shprishje e gjuhës, ky shkatërrim i ngadalshëm e i pandalshëm që po i bëhet?? Në emër të kujt??? Cilës vlerë??? Cilit ideal??. Është koha jo vetëm të shqetësohemi për këtë fenomen por edhe ta luftojmë. Është koha që të gjithë të bëjmë diçka në këtë drejtim duke filluar nga gazetarët, shkrimtarët, poetët, intelektualët. Ka kohë që i shoh të zhytur në amulli duke menduar që është kohë e paralliut dhe maskarait. Jo…atë kohë ja kemi lënë ne atyre ndaj duhet të bëjmë çmos të rikthehen vlerat e mira, kthimi i intelektualit si vlerë e padiskutueshme në mbarëvajtjen e kombit. Kush më mirë se ata mund ta bëj??? Pa ngatërresa, pa dyshime, pa akuza, pa mëdyshje. Sot.

About Post Author