
Të lexoj
Të lexoj sytë e shkruar me hije,
me ca dritëza shkëlqyer në mes
Ndoshta janë veç fjalë perëndie,
pa mallkim edhe pa pendesë.
Vetëm lutjet dhe dëshirat e marra,
dhe ofshamë që s’njohu kufij
Të lexoj edhe buzët e ndara,
ku është shkruar puthmë përsëri.
Edhe vetull e ngritur është shkruar,
nëpër harqe të ngrehur mbi ballë
Po s’më vranë këtë herë jam betuar
do të mbetem i gjallë mbi të gjallë.
Dhe do ngrihem nga varri përjetë,
ndoshta tretur do jem e pa’ gjak
Mos u trëmb, se jam vetëm poet
dhe poetët të çmëndur janë pak
Sepse thonë; nëpër ëndrra kur fle,
bëhen djaj edhe ëngjëj njësoj
Ndaj dhe çohem sa nis ditë e re,
në lëkurë ca mornica lexoj…