Fatmir R Gjata :Buzë detit


Fatmir R Gjata 

Buzë detit

Në buzë të detitë dikur,
kur diell shkoi të flërë
Dy zëmra vizatuam bashkë,
me duar nëpër rërë.

Në mes e bëmë edhe shigjetë,
po plagë nuk kish kund
Veç puthje e betim: përjetë,
do jemi gjer në fund.

Por erdhi valë e kreshpëruar,
e fshiu çfarë kishim bërë
Se det nuk qënka kaq i vogël,
mbulon një botë të tërë.

Mbulon e zbeh edhe premtimet,
nuk njeh e s’ka mëshirë
Se kohë vrapon edhe nuk ndal,
edhe nuk mbet e ngrirë.

Tani sa herë shikoj një valë,
në detin përmatanë
Çuditem si s’më thotë një fjalë,
çuditem si s’më shan.

Në breg je ndoshta e menduar,
por valët janë në mes
Më flasin ndoshta: i mallkuar,
ti qënke i pabesë.

Ta dinin valët se çka hoqa,
do ktheheshin në lot
Paçka se kohë i fshiu të gjitha,
e nuk e ktheva dot.


About Post Author