Fatmir R Gjata
Kishë e harruar
Është një kishëz pa ikona pa dritare dhe pa derë
Mbrapa tunden qiparisat poshtë reve nëpër erë
As kambanë bie mëngjesit as dhe mbrëmjes gjithsesi
Ca të lënë e vodhën ditës kur në kishë nuk pat njeri.
Vetëm kryqi i ka mbetur bashkë me Krishtin e gozhduar
Ndoshta lozin hijet vetëm sa me këmbë e sa me duar
Dhe atje ku ish altari ca rruaza janë shpërndarë
Dhe folezat kanë bërë zogjtë atje sipër nëpër trarë.
Poshtë kodrës shtrihet fusha pambarim deri në det
E marr kryqin përmbi krahë se Jezu do bëhem vetë
Bëj ca lutje nëpër dhëmbë siç i di në gjuhën time
Zë vrapoj çdo arë të vogël dhe shpërndaj njëmijë bekime.
Ndoshta gjërat janë ndarë që atëherë në kohë të vjetër
Tjetër janë priftërinjtë e poetët janë gjë tjetër
Por s’ka gjë, Zoti kupton, kur nga zëmra del një fjalë
Aty në kishë të vidhisur ku i thonë: o shënjt na fal.
