Fatmir R Gjata :Sa herë të shohësh hënë të grirë


Fatmir R Gjata 

Sa herë të shohësh hënë të grirë,
do jem duke menduar
Ndërmjet një shprese e dëshirë,
me shpirt të shpartalluar.
E hënë e vockël dritë shpërndarë,
diçka do lërë në hije
Të them që brënda më ka vrarë,
është rimë prej poezie
Ndaj vetë e shoh e flasim gjatë,
sikur të ish e gjallë
Flas për çdo ditë e për çdo natë,
për dashuri e mall
Se tjetër kujt s’mund t’ja them dot,
më mirë që s’ndien kush
Nën pjergull kur diçka më thotë,
kur flenë ca vesh me rrush
E rrushin shtrydh e ziej në gjumë,
e bëj aq shumë raki
Ndoshta kur dehem flas më shumë,
për mall e dashuri
Dhe zë e bredh sa gjatë e gjërë,
në rrugë të Fierit tim
Gjer sa të bëhet hënë e tërë,
plot gaz e ngazëllim.