Fatmir R Gjata :Telefoni i nënës


Fatmir R Gjata 

Telefoni i nënës

Në telefon ai merr shpesh,
por nuk përgjigjet asnjeri
Vetëm ca fjalë ndihen qetë,
të thëna në sekretari.

Kur është i lodhur prapë e merr,
dhe prapë kur është dëshpëruar
Kur qan i vetëm nëpër terr,
apo kur ishte dashuruar.

Një ditë e pyeta pak mënjanë,
kë merr në telefon oh mik,
Ta them-më tha- flas me mamanë,
se dua ta dëgjoj një çikë.

Kish vite që nuk ishte më,
kish vdekur kaq vite më parë
Por prapë ai i ndiente zërin,
paçka se ish brënda në varr.

Se fjalë e nënës nuk humbet,
balsam të bëhet, kthehet mall
Se koha vetëm trupin tret,
por shpirt i saj mbetet gjallë.