
Vajza me kitarë
Kur mbrëmja ra edhe u shua
Lëndinës përmbi bar
Filloi këndoi një këngë për mua
Kish zë të ëmbël edhe natë
U mbush plotë magji
Kitarën preknin flokët e gjatë
Unë shihja sytë e zi.
Dhe gishtat loznin përmbi tel
Të shpejtë e të hollë
Gjersa dhe hëna vetë po del
Si t’ish një kokërr mollë.
Këndo për mua dhe njëherë
I thash me mallëngjim
Se shpirti boll është mbushur vrer
Se shpirti s’ka shpëtim.
Dhe notat ndjeva thellë në zëmër
Sikur më preku mish
Se di në ish vërtetë a ëndërr
Por pres ta ndiej sërish.
Sa herë që del prapë yll i parë
Mendoj këngën e saj
Ish ëngjëll ndoshta: ka të ngjarë
E ndihem zënë në faj.