Fatmir R Gjata:Atit tim


Fatmir R Gjata 

Atit tim

Baba, si s’the njëherë një fjalë të mirë,
por veç u pamë të vëngërt plot një jetë
Si mundet, s’më plotësove një dëshirë,
inat më vjen dhe psenë se di as vetë.

Gjithmonë ish dikush tjetër djalë i zgjuar,
shkëlqente dhe për prind ishte krenar
Ne herë u shamë dhe mbetem zemëruar,
është çështje karakteri ka të ngjarë.

U rritëm të dy bashkë, sa pak u pamë,
se rrije shpesh në punë gjer natën vonë
Sa fjalë ndejtën të shkreta, nuk i thamë,
e mbetën në mes nesh ashtu gjithmonë.

Një ditë të pashë me shokët në një bar,
kur gotat i trokisje shënd e verë
U thoshe gjithë gëzim;kam djalë të mbarë
Po mua si s’ma the përballë njëherë!??

Tashmë je rrudhur krejt, oh sa trishtim,
ti ishe shkëmb i fortë e s’njihje moshë
U shamë dhe shpesh u zumë, babai im
ta dish për mua mbetesh thjesht riosh.

Dhe prapë më vjen inat se kemi ngjarë,
sa vajza shpesh më thotë; je si yt atë
Vështirë qënka kjo botë për baballarë,
tani po e kuptoj, ndaj “jetë të gjatë”.