Fatmir R.Gjata:Dekomunistizimi i vëndit fillon nga poshtë


Fatmir R.Gjata

Dekomunistizimi i vëndit fillon nga poshtë.

Tashmë antikomunistët janë bërë një kastë e lodhur dhe i dëgjon kudo në media edhe rrjete sociale. Bile mund të them me siguri që antikomunistët e sotëm, ata që ulërijnë më tepër janë komunistët e djeshëm. Nuk e di pse më kujtojnë ata ballistët e dikurshëm që u kthyen në komunistët më të zellshëm, në radhët e para të denoncuesve të “armikut të klasës”. I kuptoja se ndiheshin çdo çast në rrezik edhe në mos meritonin përbuzjen meritonin ironinë por të sotmit, çfarë meritojnë?? Antikomunistë ata që nuk e kanë idenë e kohës në të cilën jetuam, ata që i goditën dhe i kanë akoma plagët e hapura. Ndonjëherë më duken si japonezi i fundit që luftonte akoma mbas 20 e ca vjetësh sepse askush nuk i kish thënë që lufta ka mbaruar. Antikomunistët tanë nuk e kanë marrë vesh akoma. Lufta e klasave mbaroi. Mund të ulni armët e të shkoni në shtëpi të shihni fëmijët, të punoni tokat e të hapni fabrikat. Të gëzoni prindërit e gratë, të kërkoni lumturi. Por jo, ata janë në barrikada e duan të rindezin luftën e klasave kësaj rradhe nga ana tjetër e barrikadës. Të fshihet njëherë e përgjithmonë ajo pjesë historie dhe jo vetëm historia por edhe njërëzit që e bënë atë histori. Antikomunistët po kërkojnë rikomunistizimin me çdo kusht por kësaj rradhe komunistë të jenë ata pavarësisht se nuk do quhen më të tillë. Kërcënojnë me biografitë, me përgjime, me gjyqe të stisura mediatike. A nuk ish ky komunizmi?? Për ta jo, për mendimin tim modest po. Fakti që çdo përgjegjësi kërkohet tek kryeministri është ideja më e keqe e dekomunistizimit. Askush ka përgjegjësi. Gabon një polic faji i kryeministrit, gabon një nënpunës, bashkiak, mësues, doktor, pastrues, e kushdo që ka një raporte shtetin faji është i kryeministrit. Emri i tij lakohet me mijëra herë në media saqë të vjen zor kur ja dëgjon. Është mesia për dikë e djall për dikë dhe nga ana tjetër është ëngjëlli që po vjen të na shpëtoj. Lajmi që askush s’mund të na shpëtoj veç vetvetes nuk është përhapur akoma, lajmi që nëse gabojmë është faji ynë akoma nuk është i përdorshëm mediatikisht. Të parët jemi ne që duhet të ndryshojmë duke goditur mbretucët e vegjël këtej poshtë. Këta kanë vënë kufijtë e tyre dhe kushdo që kalon në atë territor duhet të paguaj haraç. Kërkoje ta godasësh edhe përfundon keq, tashmë ata janë të plotfuqishëm në territorin e tyre. Provoje mos t’i japësh 2 mijë lekë pastrues së spitalit edhe do t’a shohësh çfarë ndodh. Është mbretëria e saj, 20 metër katror. Që aty fillon dekomunistizimi, në prishjen e këtyre principatave të vockla, markezateve të mesme e mbretërive të paqëna. Për këtë duhet të funksionojnë të gjitha hallkat e shtetit modern e sidomos ajo e gjykatësve të “Berlinit”. Jua tregoj historinë e gjykatësve të Berlinit. Një ditë perandori i Gjermanisë kish dalë xhiro për gjah me shputën e vet. Duke ikur me kuaj prishën të mbjellat e një fshatari i cili në krye të arës me kosore në dorë i ndalon dhe i thotë- zotërinj, më prishet të mbjellat ndaj ose më shpërbleni ose nuk lëvizni prej këtu. Perandori me shpurën u shkrinë së qeshuri. E di kush jam unë i thotë perandori duke hequr helmetën, jam perandori Karlo. S’ka rëndësi kush jeni zotni- përgjigjet fshatari, unë ju paguaj taksat ndaj ju duhet të më dëmshpërblimi përndryshe takohemi tek gjykatësi në Berlin. Shpresa ime është kjo, që gjykatësit e Tiranës të jenë të paktën si ata të Berlinit në mesjetë. Komunistët??? Nëse ekzistojnë minimumi vuajnë nga prostata e nga humbja e kujtesës. Të marrësh heshtën e armaturën kundër mullinjve të erës për të garantuar besueshmëri është…boh…në mos çmënduri, foshnjarake.