Derdhen ujëvarat
Derdhen ujëvarat,derdhen edhe thahen,në sy të trishtuar
e mbushin një lumë,e mbushin një det,ikin papushuar
në ndërrime stinësh,shpërthyer ngadalë,aq me madhështi
në një copë shkëmbi,mbuluar me borë,e lagur me shi.
E derdhen ujëvara,e çojnë aq larg,dheun shkriftëzuar
stërkalat që mbetën,thirrën brohoritur,shkumë zbardhëlluar,
e bien mbi shpirtra,kockë edhe lëkurë,zhveshur e palarë
afrojnë kë është larg,largojnë kë është afër,vetëm edhe ndarë.
Ujëvara me dritë,me besë të ngjizuar,të lara me hënë
ujëvara të humbura,në rrugë të panjohur,ylberë u bënë
e derdhen..e derdhen,ushqyer me frikë,ushqyer dënesash
kthyer në rrëkeza,mbi faqe të bardha e në humbje shpresash.
Bien edhe bien,brënda edhe jashtë,fshehur e zbuluar
shprishur për një çast,në shpirt të rrëmujshëm,e të dashuruar
dhe fshihen e dalin, gjithmonë teposhtë, e kthehen në lot
duan që të kthehen, aty ku u nisën e nuk kthehen dot.
