Fatmir R Gjata:Erdh pranverë…


Fatmir R Gjata

Erdh pranverë…

Jeni nisur zogj të vegjël, fluturimthi mbledhur turmë
Duke cicërirë gëzuar nëpër qiellin plot zhurmë
Jeni nisur të mbërrini në folezat lënë në vjeshtë
Nëpër pemë gjetherënë, nëpër arë edhe vreshtë.

Po ju pres me ca thërrime në pëllëmbë të dorës nderë
Nën kavak të shtëpisë time me ca sythe sapolerë
Të më vini pupla shprishur me hare edhe me gas
Bashkë me mij shpend të tjerë që ju vijnë ngadalë nga pas.

Dhe kam shpresë të vij me ju nëpër fushën pambarim
Në Ndërnënas edhe Metaj, në Libofshë edhe Agim
Pa të bëjmë folezë te re po qe prishur nga tufan
Një Kolkondasit të vjetër, një nga Semani matanë.

E të shohim bashkë grurin kur nxjer kokën në ugar
Që të ketë edhe për juve ca kallinj të plot me farë
E të shkojmë këmbëzbathur, unë të shkruaj ju këndoni
Paçka nuk mësova kurrë, kë thërrisni e çfarë thoni.


About Post Author