Është një grua që sheh detin ku shpërthen valë e nxituar
Edhe qesh me gjithë botën sikur bota ka mbaruar
E tregon me gisht një varkë me një velë që nuk ka ngjyrë
Ndërsa det i kaltër tej përçon diellin si pasqyrë.
Është një femër që derdh lot dhe lëshon një psherëtimë
Ngrihen erërat e jugut shkojnë me ngut e ulërimë
Se s’po vjen njeri i gjallë me një kalë të zi mbi rërë
Ndaj këndon këngë malli gjersa dielli shkon të flërë.
Është një bijë me sy të kaltër me një valëz për shtëpi
Të luftojë bota e çmëndur ajo flet për dashuri
Pret një kapiten të rreshkur me lëkurë të tharë qëkur
Që bredh detesh të panjohur pa spirancë e pa flamur.
Është një vajzë që rri menduar mbi shkëmbinj që bien thikë
Thonë që deti është mallkuar por nga deti nuk ka frikë
Veç mbyll sytë të ndiejë pulëbardhat kur po shkojnë në udhëtim
Nuk e di që bashkë me to fluturon dhe shpirti im.
Fatmir R Gjata
