Fatmir R Gjata
Humbëm

Dhe kockat na humbën, na humbën dhe sytë.
dhe këngët oh Zot, dhe fjalët në fyt
Na humbën gjymtyrët bashkë me gongallë
Ndaj mbajmë hijen pas se hija mbet gjallë.
Dhe shpirtin e shitëm në treg me dollarë
a ndoshta me euro, me lekë ka të ngjarë
Floririn që mbeti e shkrimë me kallaj
pa njohur pendim e pa njohur faj.
Dhe kohën e humbëm dhe natë me zymti
na mbetën veç kishat, bosh, pa perëndi
Ndaj ndezim qirinj në gërxhet ku flenë
sorrë edhe shqiponjë, e vërtetë dhe rrenë.
Dhe kockat ndriçojnë, me dritë dhe fosfor
andej është një këmbë, këtu është një dorë
e trup bëhen bashkë nën të njëjtën lëkurë
E flenë plotë me frikë mbledhur me flamur.