Fatmir R Gjata
Le të jemi fije

Nëse jetë është shkrepse le të bëhem fije
Të bëj dritë një çast, dritë prej perëndie
Pastaj le të zhdukem e në mbeç i zi
Do të shkoj të shoh veten ku ndeza qiri.
Me qirinë e ndezur me flakë që luhat
Do ndez ca të tjerë, le t’më thonë lugat
Do t’i marr në dorë e do shkoj në krye
Në natën e zbehtë pa hënë e pa yje.
Ndaj dilni të gjithë në mbrëmje pa orë
Gjindje, mëkatarë, të shënjtë e dashnorë
Nëpër rrugë të madhe që s’di se ku nxjerr
Mbase në parajsë o mbase në ferr.
Të shkëmbejmë e japim, njëri tjetrit flakë
Të ndriçojmë trupin e të ngrohim gjak
Të flasim gjer vonë për paqe e pishtar
Le të thonë të tjerët që jemi të marrë.