Fatmir R Gjata:Më fal baba


Fatmir R Gjata

Më fal baba

Më fal baba që s’mund të jem aty,

në fushën që e deshëm aqë shumë

Të uleshim nën hije bashkë, të dy,

te fshati ku kalon ngadalë një lumë.

Aq gjëra kemi për të thënë e ndjerë,

sa nuk mjaftoi më një jetë e plotë

Dhe jeten ti e di, se kemi blerë,

por mbetëm qeraxhinj në këtë botë.

Dhe plaçkat na shëtiten nëpër dhera,

nëpër karvanë te ndalur në doganë

Vënë taksë për përqafim edhe të tjera,

në daç të shkojmë tek fshati për matanë.

Ndaj flasim pak minuta për çdo rast,

tani është bërë çdo gjë me një ekran

U plakëm hidhëruar dhe në trastë,

mbajmë vetëm mall e behemi kurban.

Flet për shtëpinë, për njerëz të pa harruar,

që prehen tek një kishë nën qiparis

Të shoh me zemrën thyer, pikëlluar,

po ikin një nga një gjithë pleqtë në fis.

Pastaj më sheh e qesh me lot në sy,

ne s’njohim moshë e kohën e bëjmë vetë

Paçka se të janë zbardhur flokë dhe ty,

por prapë je më i miri në qytet.

E s’di përse ca fjalë kthehen në varg,

më fal baba se s’jam me ty tani

E di që vitet shkojnë e mbetëm larg,

dhe të mungoj aq shumë, baba, e di.

Fatmir R Gjata

About Post Author