Fatmir R Gjata:Mesha e së dielës


Mesha e së dielës

Do të jap një meshë për zhgënjimet,
edhe prift do bëhem me zor
Këtej engjëjt të thurin ca vargje,
andej djajtë të këndojnë në kor.

E të ndezim qirinj të gjithë bashkë,
të përzier rrëmujshëm në kishë
Le të digjet veç shpirti njëherë,
se nuk ka më nevojë për mish.

Vetëm shpresën ta bëjmë temjan,
bashkë me ujë të bekuar tani
Se besimi lind vehten prej vuajtjes,
edhe mbetet i fshehur ne gji.

Edhe mbetet pak rrudhë ne lëkurë,
sikur Zot e ka shkruar me dorë
I stolisur shoh djajtë të kërcejnë,
tek dëgjojnë të gjithë engjëjt në kor…

About Post Author