Fatmir R Gjata:Një gotë verë


Fatmir R Gjata

Një gotë verë

Një gotë me verë dua tani,
ta pi të gjithë njëherë
Ohh ju bëj be, nuk kam mërzi,
as shpirti më rrjedh vrerë.

Por më fanepset një belhollë,
me kurm të gjarpëruar
Më zgjat me dorë të vet një mollë,
ma jep për ta kafshuar.

Pastaj më hedh krahët në qafë,
më shkrin nëpër damarë
Kur vetë Adami nuk tha mjaft,
po unë që s’jam i parë.

Ndaj mollë të shkrifët mbaj në gojë,
e shoqëroj me verë
Po bën mëkat; dikush do thojë,
bën mirë do thonë të tjerë.

Por kujt i duhet çfarë bëj vetë,
se ndoshta kanë zili
I bindur jam se kam një jetë,
jetoj sa jam i ri.

Kafshoj pak mollë e pi një gotë,
e puth me zjarr një grua
Sikur të jem i parë në botë,
i lirë si një fajkua.

Fatmir R Gjata

About Post Author