Fatmir R Gjata:Pranverë


Fatmir R Gjata

Pranverë

Çelin lulet nëpër degë e më çelesh edhe ti
Në një degëzë të brishtë ulet pak një kolumbri
E më thotë që erdh pranvera nëpër syth e nëpër gjeth
Ca petale të mbulojnë përmbi krye gjithë përreth.

Të bëj gati një kurorë që ta vësh aty mbi flokë
Le të bien ca petale, të shpërndahen nëpër tokë
E të ecësh këmbëzbathur, le ti shkelësh mengadalë
Perëndishëm e magjishëm buzëqeshur e pa fjalë.

Le të bjerë dielli i parë plot me rrez’e ngrohtësi
Të shkëlqejë përmbi fytyrë me mallëngjim e dashuri
Se pranvera vjen gjithmonë përtërin edhe ringjall
Pak me vesë edhe me lot, pak me dhimbje edhe mall.

About Post Author