
Shpirti
Thonë kur trupi nuk ka jetë
shpirti shkon në hapësirë
Bëhet flutur krahëshkruar
edhe fluturon i lirë
Ulet shpesh i mallëngjyer
të takojë çfarë ka lënë pas
Dhe i prek pak në lëkurë
paçka s’mundet që t’i flasë.
Endet rrugëve të qiellit
nëpër erë edhe stuhi
Ulet lulesh edhe pemësh
të shijojë gjithë bukuri
Edhe tretet pas kësaj
sepse fluturat rrojnë aq pak
Sa të prishin krahë të bukur
nëpër shi a nëpër flakë.
Pastaj bëhen vetëm dritë
edhe na shikojnë që lart
Herë të bardhë apo të zinj
herë të kuq e herë të artë
Edhe rrojnë në jetë të jetëve
pa gëzim e pa pendesë
Përmbi rruzullin e tokës
pa një vënd e pa adresë.